15 Maj 2024

Studentët shqiptarë në Gjermani në ndihmë disa familjeve në nevojë

Prishtinë, 12 gusht - Duke u nisur nga raportimet e disa mediave të shkruara për kushtet e vështira të disa familjeve në Prishtinë, studentët shqiptarë në Gjermani morën një iniciativë për të ndihmuar ato familjen në nevojë.

Ata u organizuan në Gjermani duke dhuruar nga të ardhurat e tyre studentore, duke dashur të ndihmojnë sadopak një numër të zgjedhur të familjeve.

Ky aktivitet u organizua duke marrë për shkas edhe ardhjen e tyre për pushime në Kosovë, duke dëshiruar që përveç ndihmës modeste, të ngrisin edhe vetëdijen shoqërore për ndihmë rasteve të këtilla në nevojë.

Në këtë rast, ata vizituan një grup familjesh që jetojnë në kontenjera të improvizuar në lagjen \"Fusha e Pajtimit\" në Prishtinë dhe panë për së afërmi kushtet e vështira të jetesës për këto familje.

Ishte një përjetim jo i lehtë për këta studentë përballja direkte me realitetin e hidhur dhe jonormal në të cilin këto familje jetojnë, shumica nga të cilat numërojnë 3-4 anëtarë, ndër ta edhe fëmijë.

Aktivitete si këto nga ky grup i studentëve, të cilët studiojnë e jetojnë në qytete të ndryshme të Gjermanisë, ka pasur edhe vitin e kaluar.

Me gjithë potencialin e kufizuar financiar, ata ndihmuan me të holla rreth 14 familje që për momentin jetojnë aty, mirëpo dëshira e tyre është që të ketë një vetëdijesim më të madh shoqëror për problematikën e këtyre familjeve dhe një ndihmë thelbësore edhe e shtetit apo komunës për sigurimin e një vendbanimi normal.

Sigurisht që ka edhe familje të tjera të shumta që kanë nevoja të ngjashme, mirëpo me një vullnet të mirë dhe hapa të vegjël, mund të bëhen ndryshime të vogla, por që kthejnë buzëqeshjen e këtyre familjeve qoftë edhe për një moment.

Nevoja e tyre më e madhe shihet të jetë një banim normal, pasi që dimri sigurisht që do të jetë i vështirë për këto familje në ata kontenjerë të vjetruar. Shpresojmë që edhe individë të tjerë, por edhe organizata të tjera të interesuara të ndihmojnë edhe më tutje për familje të tilla në nevojë, sidomos në ofrimin e një kulmi normal mbi kokat e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)