01 Maj 2024

Për Universitet të dijes, kundër Rektorit të padijshëm

Prishtinë, 26 janar - Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka përcjellë me shqetësim të madh ngjarjet dhe skandalet e njëpasnjëshme në Universitetin e Prishtinës, të cilat kulmuan me skandalin e fundit të publikuar në media, ku u dëshmua me fakte se një numër i caktuar i stafit akademik të UP-së, përfshirë edhe vetë rektorin Ibrahim Gashi, janë të përzier në mashtrime dhe kanë përfituar tituj akademikë në mënyrë anti-statutore, e njëkohësisht të jashtëligjshme.

“Veprimet e rektorit Gashi me rastin e publikimeve të tij në një pseudo-revistë shkencore paraqesin shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 9 dhe të Nenit 185 të Statutit të UP-së, si dhe shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 13 dhe të Nenit 14 të Kodit të Etikës të stafit akademik të UP-së. Po ashtu, meqë tashmë është dëshmuar se 3 nga gjithsej 5 publikimet e rektorit Gashi janë të pavlefshme, atëherë mbajtja e titullit akademik “Profesor i Rregullt” nga rektori Gashi është në kundërshtim të plotë me Nenin 175 (pika 1, nënpika 1.2.1) të Statutit të UP-së. Përveç kësaj, duke pasur vetëm 2 publikime valide (nëse janë) në revista shkencore ndërkombëtare, atëherë edhe mbajtja e titullit akademik “Profesor i Asocuar” nga rektori Gashi është në kundërshtim të plotë me Nenin 176 (pika 1, nënpika 1.2) të Statutit të UP-së”, është thën në komunikatën e VV-së.

E kemi Universitetin, ashtu siç e kemi Qeverinë. Qeveria është e pranishme në Universitetin e Prishtinës edhe përmes emërimeve e kontrollit, por edhe si mënyrë e të bërit të gjërave, si logjikë. Është prezente përmes emërimeve, sepse ka kompetencën për të emëruar 4 nga 9 anëtarët e Keshillit Drejtues, këshill ky që përbën organin kryesor vendimmarrës, duke përfshirë edhe vetë zgjedhjen e Rektorit. Jo rastësisht, në UP janë ndërruar rektorët, por ka vazhduar avazi i njejtë.

“Andaj, bazuar në të gjitha faktet dhe argumentet e sipërpërmendura, por edhe në ato fakte e argumente tashmë publike, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje organeve gjegjëse që ta kthejnë ligjshmërinë në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Më konkretisht:

1.    Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje Senatit të UP-së që në përputhje me Nenin 173 të Statutit të UP-së, si dhe bazuar në kërkesat e Nenit 175, 176 dhe 177 të Statutit të UP-së për titujt akademikë, rektorit Ibrahim Gashi t’i hiqet titulli akademik “Profesor i Rregullt” dhe “Profesor i Asocuar”, meqë formalisht (por jo moralisht, pas ngjarjeve të fundit) ai mund të mbajë vetëm titullin akademik “Profesor Asistent”.
2.    Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje rektorit Ibrahim Gashi që të japë dorëheqje nga pozita e rektorit të UP-së, meqë me veprimet e tij ai e ka shkelur Statutin e UP-së (pra ligjin), Kodin e Etikës së stafit akademik të UP-së, si dhe të gjitha parimet dhe normat etike, profesionale, shkencore e akademike, duke e rrënuar kështu reputacionin e universitetit publik më të madh dhe më të rëndësishëm në vend.

Siç është shprehur në seancën e fundit në Kuvendin e Kosovës deputeti Afrim Kasolli: “Këto fakte tregojnë shumë qartë se tashmë manipulimi, mashtrimi, shkatërrimi i cilësisë akademike dhe degradimi i Universitetit përbëjnë një tipar kryesor të punës së strukturave menaxhuese të këtij institucioni. Dhe nuk ka dilemë se kjo frymë e shkatërrimit të këtij institucioni është zhvilluar me bekimin e politikës së deritanishme institucionale. Është më se e ditur se në Kosovën e Pasluftës strukturat udhëheqëse e sidomos rektorët janë emëruar nga strukturat politike dhe parapolitike. Po ashtu edhe komisionet recensuese për përzgjedhjen e stafit akademik, që si kriter të vetëm kanë pasur rekrutimin e militantëve partiakë”.

Substancialisht kjo qasje e ndjekur nga politika e deritanishme e ka shndërruar këtë institucion vetëm në një godinë universitare, duke e zhbërë idenë e Universitetit. Pra nga një vend për prodhimin e dijes në funksion të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor, këto struktura menaxhuese dhe ato pararendëse e kanë tjetërsuar bartësin me të madh të arsimit publik në vend në qendër të prodhimit të krimit, mashtrimit e korruptimit.

Është e ditur se shteti modern, krahas aftësisë për të shtrirë autoritetin e tij në të gjithë territorin që e zotëron, duhet edhe ta investojë, prodhojë dhe universalizojë në kuadër të shoqërisë dijen. Nga ky motiv rrjedh edhe sintagma ‘Shteti i Dijes’ nocion ky që fatkeqësisht më së shumti është bastarduar nga kjo Qeveri. Pa dyshim që nuk mund të kemi ‘Shtet të Dijes’ pa pasur njëherë Universitet të Dijes.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje studentëve, stafit akademik të papërfshirë në shkeljet dhe mashtrimet e bëra publike, intelektualëve dhe shoqërisë civile që të bëhen bashkë në një përpjekje kaq të rëndësishme sa ç’është ruajtja dhe forcimi i Universitetit dhe i arsimit të lartë në tërësi.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)