07 Maj 2024

Ministri Buja prezantoi të arriturat dhe sfidat e vitit 2013

Prishtinë, 26 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja ka mbajtur konferencën e fundvitit për media, ku ka folur për të arriturat dhe sfidat në të gjitha nivelet e arsimit dhe të shkencës për vitin 2013.

Ministri Buja theksoi se MAShT gjatë këtij viti ka vazhduar punën në realizimin e aktiviteteve që lidhen me arritjen e prioriteteve në arsim sipas Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë (2011-2016).

Duke folur për arsimin parauniversitar, ministri Buja veçoi pilotimin në 10 shkolla të Kornizës së Kurrikulës, licencimin e 20,500 mësimdhënësve, organizimin e programit të Avancimit pa shkëputje nga puna (AKM) për ngritjen e kualifikimeve të mësimdhënësve prej shkollave të larta pedagogjike dyvjeçare në nivelin bachelor me 1900 mësimdhënës nga 10 programe.

Po ashtu, ministri Buja theksoi se pas aplikimit të Kosovës në projektin e vlerësimit ndërkombëtar (PISA) me nxënësit e moshës 15 vjeçare, në mars 2014 do të fillojë pilotimi, ndërsa vlerësimi final organizohet në vitin 2015.

Ministri Buja përmendi edhe shumë trajnime të drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve në nivele të ndryshme të arsimit.

Sa i përket arsimit të komuniteteve, ministri Buja përmendi shumë të arritura, ndër të cilat botimi dhe sigurimi i teksteve të ndryshme shkollore në gjuhën amtare të komuniteteve, ndarja e 30 bursave për nxënësit dhe 16 për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, etj.

Ndërsa, për mësimin plotësues në diasporë, ministri theksoi përfundimin e projektit ”Tekste për diasporën” dhe edicionin e nëntë të seminarit me mësuesit e diasporës në Ulqin.

Për të arriturat në Arsimin dhe Aftësimin Profesional, ministri i Arsimit theksoi ndër të tjera finalizimin e dy strategjive: Strategjia për ngritjen e praktikës profesionale gjithëpërfshirëse dhe Strategjia për orientim në karrierë.

Duke folur për arsimin e lartë, ministri Buja përmendi themelimin e tri universiteteve të reja publike, të cilat kanë filluar punën këtë vit akademik (Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë), si dhe arritjen tashmë të katër kontingjenteve të librave shkencorë të përkthyer në gjuhën shqipe.

Ministri Buja foli edhe për sigurimin e bursave dhe financimeve të projekteve për kërkime shkencore në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm, por edhe përkrahje në këtë drejtim nga fondet e vet MAShT.

Sa i përket zgjerimit të infrastrukturës arsimore, ministri Buja tha se gjatë këtij viti, punimet kanë përfunduar në 8 objekte shollore, ndërsa vazhdojnë punimet në ndërtimin e 23 objekteve shkollore.

Ndërsa, ministri theksoi se gjatë këtij viti, janë miratuar dy ligje dhe janë hartuar dhe plotësuar edhe pesë të tjera.

Ministri Buja, gjatë koferencës për media foli edhe për sfidat që janë: Rritja e cilësisë në arsimin e parauniversitar dhe atë të lartë; Ndërtimi  i 23 objekteve të reja shkollore; Interesimi i vogël i shkencëtarëve kosovarë për të aplikuar në projekte të ndryshme shkencore; Integrimi i Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë në sistemin e arsimit sipas ligjeve të Kosovës; Numri i vogël i inspektorëve të arsimit; Mosbashkëpunimi me MAShT i shumicës së shkollave që mbajnë mësim në gjuhën serbe. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)