Mbahet provimi i gjuhës italiane

Prishtinë, 19 qershor - Për herë të parë në Kosovë, Qendra e gjuhës dhe kulturës italiane Dante, organizon sot provimin  Certificato di Conoscenza della Lingua Italiana (CELI).
Qendra Dante përmes Global Input është seli zyrtare e provimeve CELI të Universitetit për të Huaj të Perugia-s. 
Kjo certifikatë  është  titull që deklaron kompetencat dhe  aftësitë në gjuhën italiane si gjuhë e huaj, thuhet në një njoftim të kësaj qendre. 
Këto provime artikulohen në 6 nivele sipas modelit të Kuadrit të Përbashkët Europian të Referimit për gjuhët, nga  CELI  Përqasje-A1, CELI  1-A1 deri tek CELI 5- C2. 
Ministria Italiane e Arsimit, Universitetit dhe e Shkencës njeh CELI 3 si çertifikatë të vlefshme për të vërtetuar njohjen e gjuhës italiane e nevojshme kjo, për tu regjistruar në Universitet në Itali brenda kontingjentit që secili Universitet përcakton për studentët e huaj. 
CELI 4 dhe CELI 5 njihen gjithashtu si çertifikata të vlefshme për të vërtetuar njohjen e gjuhës italiane në kushte të barabarta me studentët italianë.
CELI është një ndër certifikimet kyce për aplikim në institucione shkollimi dhe punësimi në Itali.
Organizmi i provimit të gjuhës italiane në Prishtinë është akredituar nga Ministria e Punës së Jashtme, dhe Ministria e Arsimit të Italisë.
Provimi do të organizohet sot, në Qendrën e gjuhës dhe kulturës italiane Dante në Prishtinë. 
















