05 Maj 2024

MAShT e shqetësuar për zhvillimet e fundit në Komunën e Prishtinës

Prishtinë, 9 shkurt - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), është e shqetësuar për zhvillimet e fundit në Komunën e Prishtinës, pas vendimit për ndërprerjen e mësimit në disa shkolla të Prishtinës.

MAShT sqaron edhe njëherë opinionin publik se Departamenti i Inspeksionit, pas inspektimit me ekspertizë që është bërë në disa shkolla, ka konstatuar se përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore është sipas standardeve.
Në terren me inspektorët e MAShT kanë qenë edhe përfaqësues të inspektoratit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Institutit të Mjekësisë së Punës – Shërbimit për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe drejtorët e shkollave përkatëse.


Po ashtu, pas fillimit të dyshimeve për normën e lartë të sulfurit në naftën, me të cilat këto shkolla kanë sistemin e ngrohjes, siç e kemi sqaruar edhe më herët, Ministria ka kërkuar urgjentisht raport profesional nga institucioni kompetent për këtë çështje Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ku ka marrë përgjigjen se derivatet e naftës të përdorura për nxemje në shkollat e Prishtinës janë brenda standardeve të përcaktuara dhe rregulloreve në fuqi në Kosovë.


MAShT sqaron Komunën e Prishtinës se me Ligjin për Arsimin në Komunat e Kosovës nr. 03/ L  -068, Neni 5, paragrafi e, Kompetencat e Komunave në nivelet 0, 1, 2 dhe 3 të Arsimit Publik (Parashkollor, Fillor, të Mesëm të Ulët dhe të Mesëm të Lartë), thuhet se është e drejtë e Komunës mes të tjerash të merret edhe me shëndetin publik të nxënësve, por askund nuk figuron në ligj se komuna mund t’i mbyllë ato. Kjo e drejtë është e rezervuar për nivelin qendror.
Kryetari i Komunës respektivisht Drejtoria Komunale e Arsimit është e obliguar të bashkëpunojë me MAShT dhe organet tjera profesione, që secili ta merr rolin e vet, gjithmonë duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi.


Nese dyshimet dhe faktet janë të vërteta, atëherë MAShT, si organi qendror, në bashkëpunim me komunën, merr vendim për ndërprerjen e procesit shkollor deri në rezultatin final apo zgjidhjen e problemit. 


Bazuar në legjislacionin në fuqi ndërprerjen e procesit mësimor mund ta bëjë MAShT, në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar të nr.04/L-032, Neni 8 paragrafi 6.1,  dhe Neni 5.4 paragrafi b, të Ligjit për Inspeksionin e Arsimit në Kosovë , nr. 2004/37.  


Po ashtu, kjo është e rregulluar edhe me Udhëzimin Administrativ:  Ndalimi, ndërprerja e punës dhe inicimi i procedurës disiplinore ndaj mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë në institucionet edukativo-arsimore, aftësuese dhe shkencore.


MAShT është kundër vendimit për mbylljen e shkollave, kur dihet se vendimi për mbylljen e shkollave është bërë pa paralajmërim as të institucionit qendror, por as nuk janë lajmëruar me kohë prindërit, shumica e të cilëve janë në marrëdhënie pune.


MAShT  mbështet me të gjitha kapacitetet e veta çdo nismë të kujtdoqoftë,  pra edhe të Komunës së Prishtinës, që ka të bëjë me sigurimin e shëndetit të nxënësve.


Por, duke parë se në raportin e përpiluar nga atuoritetet kompetente  (MTI) nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, MAShT vlerëson se vendimi  i Komunës së Prishtinës për ndërprerjen e mësimit është i motivuar politikisht.


Me këtë rast, MAShT kërkon nga Komuna e Prishtinës që të mos bëjë lojë politike me prindërit, fëmijët e mësuesit, sepse kjo është e pandershme dhe nuk i shërben të mirës së askujt, e aq më pak arsimit, ku përgjegjësia është e të gjithëve.


MAShT edhe njëherë siguron opinionin e gjerë e sidomos prindërit se nuk ka arsye për shqetësime dhe kërkon që të gjitha shkollat e Prishtinës të hënën të fillojnë mësimin.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)