07 Maj 2024

LDK: Gjatë vitit 2013 ka pasur ngecje të mëdha në fushën e arsimit

Prishtinë, 28 dhjetor - Pasi ka ndjekur me kujdes zhvillimet në fushën e  arsimit dhe të shkencës gjatë këtij viti, Lidhja Demokratike e Kosovës, nëpërmjet Këshillit të Ekspertëve, dëshiron t’i adresojë disa çështje.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se gjatë vitit 2013 ka pasur ngecje të mëdha në fushën e arsimit dhe se nuk është shënuar asnjë rezultat në atë të shkencës.

Buxheti për arsimin dhe shkencën, siç e kemi theksuar edhe në fillim të vitit 2013, është tepër i ulët dhe e bën të pamundur që të investohet në mënyrë substanciale në sistemin e arsimit. Buxheti tepër i ulët e dëshmon se Qeveria s’e ka prioritet arsimin dhe se nuk e tregon as ndjeshmërinë më të vogël për institucionet e shkencës, të cilat vijojnë të jenë pa ndonjë ndikim të shënueshëm.

          

Cilësia e arsimit parauniversitar vijon të jetë tepër e ulët dhe kjo po e vështirëson edhe më shumë punën në  arsimin universitar. Po ashtu, rritja mekanike e numrit të studentëve në universitetet publike dhe hapja e pastudiuar e universiteteve të reja publike, mbi vlerësime e vendime më tepër elektorale sesa profesionale, e ka dëmtuar edhe më shumë cilësinë në arsimin e lartë.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se përfshirja në arsimin e lartë duhet të bëhet në bazë të Strategjisë për Arsimin e Lartë dhe se hapja e universiteteve të reja publike duhet të studiohet me kujdes shumë të madh.

Investimet kapitale edhe këtë vit kanë qenë të ulëta dhe MASHT-i ka vijuar t’i bartë investimet e viteve të tjera, përfshirë dhe ndërtimin e shkollave, që ka filluar që nga viti 2009, me kontratë me ndërtuesit, por pa mjete financiare të zotuara, veprim ky që bie ndesh me ligjin.

Po ashtu, investimet në ndërtimin e objekteve shkollore nëpër komuna edhe gjatë këtij viti janë bërë me preferenca politike, në varësi se ku ka qeverisur PDK-ja.

Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të theksojë se edhe këtë vit blerja e librave për shkollat fillore dhe të mesme të ulëta ka qenë e kundërligjshme.

Po ashtu, siç e thekson raporti i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, gjatë viteve të fundit ka shpërputhje prej disa miliona eurosh ndërmjet mjeteve që janë zotuar për blerjen e librave dhe mjeteve që janë shpenzuar, ndërsa MASHT-i nuk ka arritur të sqarojë se pse ka ndodhur kjo. Po ashtu, është konstatuar se vetëm në 6 shkolla janë dërguar mbi 500 mijë ekzemplarë libra më shumë se që ka qenë e nevojshme. Blerjet përtej shumave të zotuara dhe blerjet e qindra mijëra ekzemplarëve të panevojshëm ngjallin dyshime për keqpërdorime të mëdha të parasë publike.

Ndodhitë e fundit në Universitetin e Prishtinës e kanë dëmtuar shumë imazhin e këtij institucioni. Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se kjo është pasojë e ndërhyrjeve të Qeverisë në institucionet e pavarura.

Lidhja Demokratike e Kosovës edhe një herë shpreh domosdonë që institucionet e dijes dhe të arsimit të nxirren jashtë ndikimit të politikës dhe që ato të reformohen mbi baza profesionale e sipas standardeve të institucioneve moderne.

Qeveria e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të reformojë institucionet e shkencës dhe do të themelojë Qendrën e Studimeve të Avancuara, e cila do t’i përfshijë institutet aktuale dhe institutet e reja që do të themelohen.

Po ashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë gati planin për reformimin tërësor të Universitetit të Prishtinës, mbi bazën e cilit ai do të ristrukturohet, do të çlirohet nga ndikimi i politikës dhe do të mund të funksionojë si një institucion modern i arsimit të lartë.

Projekti për Qendrën e Studimeve të Avancuara dhe ai për reformimin e Universitetit të Prishtinës do të jenë pjesë e kapitullit për Arsimin dhe Shkencën të Programit qeverisës të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se është i domosdoshëm një verifikim ndërkombëtar i punës së universiteteve publike që janë themeluar gjatë viteve të fundit, meqë drejtuesit dhe pedagogët janë zgjedhur mbi baza të dyshimta, joprofesionale dhe politike, dhe se cilësia është tepër e ulët.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)