05 Maj 2024

Doktorata në UP, përkundër cilësisë me kosto astronomike

Prishtinë, 14 dhjetor - Për të bërë një studim doktorate në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” duhet planifikuar në detaje kursimet materiale, ngase kostoja e lartë e shpenzimeve, përkundër cilësisë për ketë cikël studimesh, krahasuar me vendet e rajonit, mbetet dyfish më e lartë.

Derisa zyrtarë nga Rektorati për koston e këtyre studimeve e hedhin topin në oborrin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), këta të fundit thonë se çmimin e përcakton Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës që ministria ka ndikim por jo të drejt për drejt, kurse ekspertët e arsimit vlerësojnë se cilësia në këto studime nuk është në nivelin e duhur.

Një student i doktoratës për një semestër duhet të paguajë 1 mijë euro kurse për një vit duhet paguar 2 mijë euro, e me një kalkulim të thjeshtë për tre vite sa zgjatë ky cikël studimesh kostoja e këtyre shpenzimeve arrin shifrën 6 mijë euro.

Përderisa si shpenzime të tjera janë edhe ato që hyjnë në kuadër të paraqitjes së provimeve e që për një provim çmimi kushton 25 euro dhe nëse ia shtojmë edhe koston e blerjes së literaturës kjo shifër fryhet gjithnjë e me shumë.

Kurse sa i përket studimeve master, edhe këtu për standardin e një studenti në Kosovë, çmimi prej 300 eurosh për një semestër mbetet i lartë.

Ata që pësojnë me së shumti janë studentët të cilët shumë prej tyre as nuk e kanë marrë hapin që ta regjistrojnë një cikël të tillë derisa ata që tashmë janë regjistruar ankohen se kostoja e këtyre studimeve është e papërballueshme.

Zyrtarë nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës për koston e këtyre studimeve e hedhin topin në oborrin e MASHT-it duke theksuar se çmimet për programet e studimeve në UP i cakton kjo ministri dhe sipas tyre ata janë të obliguar t’i respektojnë si të tilla.

Ardian Kastrati, këshilltar i rektorit Ibrahim Gashi, ka thënë për Kosovalive360 se koston e pagesave për programet e studimeve ne UP i cakton MASHT-i dhe ata janë të obliguar t’i respektojnë si të tilla.

“Rektorati ka bërë një kërkesë për lirimin e kostove për këtë cikël studimesh gjatë vitit në MASHT dhe shpresojmë që do të kemi përgjigje ndërkohë”, ka thënë Kastrati.

Ragip Gjoshi, këshilltar në MASHT, tha për Kosovalive360 se koston për këto studime nuk e përcakton MASHT-i por Këshilli Drejtues i UP-së icili përbëhet nga pesë anëtarë, në të cilën ministria ka ndikim por jo në mënyrë të drejtpërdrejt.

“Studimet e doktoratës konsiderohen me shumë si luks dhe si të tilla ato me shumë janë studime në të cilën studentët duhet të vetëfinancohen me shumë”, tha Gjoshi duke theksuar se taksat e këtyre studimeve nuk janë shumë të larta krahasuar në rajon.

Por krahasuar me Universitetin e Tiranës, Gjoshi e pranon se atje kostoja e shpenzimeve është me e lirë duke theksuar se buxheti i MASHT-it nuk është shumë i leverdishëm për financimin e kësaj fushe, ngase kjo është sferë doktorate që kërkon financimin e profesorëve, mentorëve dhe stafit tjetër akademik.

Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit, ka thënë për Kosovalive360 se cilësia në studimet posdiplomike në Universitetin e Prishtinës nuk është në nivelin e duhur ngase kriteret janë jashtëzakonisht të ulëta dhe interesi i atyre që shkojnë aty nuk është që t’i ndërrojnë ato dhe të bëhen konkurrent në tregun e punës.

“Do të ishte e rrugës që institucionet arsimore t’i ashpërsojnë kriteret e regjistrimit dhe në ketë mënyrë do të rritej cilësia në ciklin e studimeve postdiplomike”, tha Hyseni, duke shtuar se ky cikël studimesh do të ketë restrikcione të jashtëzakonshme për të ardhmen e Kosovës.

Ai tha se këta njerëz janë duke u shfrytëzuar dhe degraduar duke bërë që fatkeqësinë e tyre ta blejnë me një certifikatë e cila nuk i plotëson në masë të konsiderueshme standardet e cilësisë ndërkombëtare të arsimit.

Adil Olluri, kandidat për doktorant në UP, ka thënë për Kosovalive360 se kostoja për ketë cikël studimesh është çmim tejet i shtrenjt dhe i papërballueshëm.

“Mendoj se rektorati i UP-së dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet ta shikojë mundësinë e përgjysmimit që do të ishte real”, tha Olluri, duke shtuar se duhet marrë parasysh edhe kostoja e shpenzimeve në Tiranë i cili është shumë me i ultë

Ai tha se atje paguhet 350 euro, ndërsa këtu 1000, gjë që e bën të pakuptueshme dhe nonsens këtë shifër, që për kushtet që po jetohet në Kosovë është jashtëzakonisht e lartë.

E shumë student në pamundësi që ta përballojnë ketë kosto astronomike në UP e kanë parë të rrugës të zgjedhin universitetet e Tiranës dhe Shkupit si një alternativë me të mirë dhe me të lirë për studimet e këtij cikli studimesh.

Ndërkohë, në studimet e doktoratës, për vitin akademik 2013/2014, janë pranuar kandidatët por ende nuk kanë nisur zyrtarisht studimet në ketë cikël studimesh.

Në fakultetin Ekonomik, Programi: Banka, financa dhe kontabilitet janë pranuar 10 kandidatë, në Filozofik-drejtimi Histori janë pranuar tre kandidatë, në Fakultetin e Filologjisë, Programi Gjuhësi janë pranuar 18 , Programi Letërsi janë pranuar gjashtë dhe Programi Shkenca të Komunikimit dhe Gazetarisë janë pranuar 14.

Kurse në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Programin: Inxhinieri Kompjuterike janë pranuar katër kandidatë, në Programin:Telekomunikacion janë pranuar tre, në Fakultetin e Mjekësisë, drejtimi Paraklinika janë pranuar 11, Shëndetësi Publike, 10, Stamatologji, 24 dhe Klinika, 61 kandidatë.

Ndërsa në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Programi: Kimi janë pranuar pesë kandidatë, në Programin: Biologji e organizmave dhe Ekologji janë pranuar tre.

E në Fakultetin Juridik në Programin: E drejta Kushtetuese-Administrative janë pranuar 2 kandidatë, në Programin: E drejta Ndërkombëtare, një kandidatë, në Programin: E Drejta Financiare, asnjë nga kandidatët nuk i kanë plotësuar kushtet për pranim dhe në Programin: E Drejta Civile dhe e Drejta Penale janë pranuar nga dy kandidatë.(Kosovalive)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)