28 Prill 2024

Buja: Protokolli rrit premisat për përmirësimin e situatës në arsim

Prishtinë, 25 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja ka marrë pjesë në Konferencën për publikimin e Protokollit për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Parauniversitar, të organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë.
 
Me këtë rast, ministri Ramë Buja theksoi se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e sanksionon dhunën në institucionet arsimore me infrastrukturë ligjore bazuar në instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e fëmijës/njeriut, por edhe kurrikulat dhe politikat arsimore promovojnë ambiente mike, të shëndetshme dhe të sigurta për të gjithë brenda institucioneve arsimore.

“Prapë se prapë shkollat tona dhe realiteti ynë po përballet me probleme që bien ndesh me synimet tona për t`i arritur standardet për një shoqëri me vlera të qytetërimit demokratik”, tha ministri Buja.
 
Ministri Buja theksoi se MAShT nëpër vite e ka adresuar problematikën e dhunës edhe nëpërmjet të projekteve të shumta.

“Bazuar në projektet e hulumtimet e shumta, kemi gjetur shkaqe, faktorë që tashmë i dimë të gjithë, por edhe kemi identifikuar nevojën e hartimit të një protokolli që do të bashkonte forcat e të gjithëve në drejtim të parandalimit, reagimit dhe trajtimit efikas të dhunës në shkolla”, tha ai.

Ministry Buja më pas foli edhe për dokumentet që MAShT së bashku me partnerët i ka hartuar dhe miratuar për përmirësimin e të drejtave të njeriut/fëmijës dhe për krijimin e një ambienti sa më të sigurtë në shkollë dhe përreth saj.

“Krahas procesit te rregullt mësimor, i cili me kohë ka integruar të drejtat e fëmijëve/njeriut, çështjet gjinore, temat kundër trafikimit, dhunës në familje e në nivele të tjera etj., ky protokoll rrit premisat për përmirësimin e situatës në arsim, duke mobilizuar të gjithë përgjegjësit relevantë  në veprime konkrete, në të mirë të trajtimit të problemit të dhunës në shkolla, pa të cilën shkollat do të frymojnë lirshëm, do të rrisin cilësinë e punës në përgatitjen e nxënësve për një jetë të përgjegjshme në një shoqëri demokratike”, tha ministri Buja.

Ai theksoi se tani MAShT në bashkëpunim me Save the Children ka hartuar Manualin didaktik për parandalimin e dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar, i cili është aprovuar dhe pritet të botohet, të publikohet  dhe shpërndahet në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar.

Ministri Buja po ashtu përmendi edhe faktin se MAShT po e harton edhe Strategjinë për sigurinë në shkolla. “Tani pas gjithë këtyre zhvillimeve, mendojmë se kemi një bazë të mirë mbi të cilën do të reflektohen rezultatet e synuara për një shkollë cilësore, humane, pa dhunë dhe të sigurtë”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)