24 Mars 2023

Wood: Kosova, më e mira në rajon

Prishtinë, 26 janar - Kosova ka bërë shumë punë dhe ajo duhet të tregojë se mund të zhvillohet ekonomikisht, pasi ka kapacitete dhe resurse për ta bërë një gjë të tillë. Një veçori e Kosovës lidhet me natyrën dhe bukuritë që janë të shumta.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Epoka e re” drejtori i Programit për Ndërmarrje Private në Kosovë i USAID-it, Mark Wood. Ai ka vlerësuar se të gjitha punët që janë bërë në këto vitet e fundit në Kosovë, duke veçuar ofertat turistike, kanë bërë që disa mediume më të fuqishme në botën perëndimore ta sugjerojnë Kosovën si vend, i cili duhet të vizitohet në vitin 2011, pasi të gjithë vizitorët do të kenë çfarë të shohin.

Drejtori Wood ka bërë me dije se së bashku me organizatat dhe institucionet që veprojnë në Kosovë kanë marrë pjesë në disa evenimente të ndryshme që janë organizuar si në vend ashtu edhe jashtë tij. Ai ka treguar se tani për tani ky program po ndihmon Kosovën në disa fusha që janë vitale për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Kosova po ecën shpejt drejt certifikimit të burimit të lëndës drusore. Është qenësore që dizajni i mobileve dhe prodhimi çdoherë e më shumë t’u shërbejnë tregjeve të dalluara në vend, rajon dhe botë. Industria kërkon mbështetje të vazhdueshme në dizajn dhe depërtim në tregje, si dhe ngritjen e aplikimit të normave të prodhimit, që do t’i sjellë produktet e tyre në tregje më të mëdha. Vetëm në këtë mënyrë ky sektor mund të zhvillohet dhe të ofrojë vende pune”, ka deklaruar ai, duke premtuar se USAID-i do t’i ndihmojë kompanitë anëtare të saj që të marrin pjesë në panaire ndërkombëtare, si një metodë e mirë për promovimin e produkteve të tyre dhe për krijimin e mundësive të eksportit.

Sipas tij, USAID-i vitin e kaluar ka ofruar trajnim për programet e praktikës për studentët e universitetit dhe kjo ka rezultuar në punësimin profesional të 75 të rinjve.

“USAID-i e konsideron zhvillimin e fuqisë punëtore si strategji kryesore në përmirësimin e pozitës konkurruese të kompanive dhe sektorëve të Kosovës. Pasi e gjithë ekonomia e Kosovës po lëviz drejt shekullit 21, konkurrenca në treg, zhvillimi i shkathtësive për pjesëmarrësit aktualë dhe të ardhshëm të fuqisë punëtore dhe qasja e studentëve dhe e të papunëve në vende pune e profesione të reja, do të jetë kërkesë thelbësore. Për t’iu ofruar studentëve, të papunëve dhe të punësuarve aktualë shkathtësitë të cilat i përshtaten më mirë biznesit”, ka bërë me dije ai.

Sa i përket turizmit dhe mundësisë, ai është shprehur se Kosova ka shumë mundësi për të përfituar nga ky sektor, por duhet bërë më shumë që vendi ta prezantojë veten në arenën ndërkombëtare.

Programi të cilin ai e udhëheq deri më tani ka ndihmuar në këtë fushë. “Në vitin e kaluar për herë të dytë kemi organizuar panairin ‘Dita e Turizmit në Kosovë’ së bashku me Asociacionin për Turizëm të Kosovës (KOTAS).

Panairi ‘Dita e Turizmit në Kosovë’ me moton ‘Qëndroni për fundjavë’ ka pasur si synim ta nxisë komunitetin ndërkombëtar në Kosovë që të qëndrojë për fundjavë dhe të përjetojë Kosovën”, është shprehur Wood.

Ai ka treguar edhe për shtojcën speciale të revistës “National Geographic”, e titulluar “Ballkani Perëndimor - Toka për t’u zbuluar”, e cila ka një tirazh prej qindra mijëra kopjeve dhe e cila shpërndahet në shumë vende perëndimore.

“Kjo revistë thekson destinacionet dhe atraksionet më të mira turistike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, dhe premton që vizitorët nuk ka se si të mos mrekullohen me pasuritë kulturore dhe ndërthurjen plot jetë të popujve, historisë dhe natyrës në këtë kryqëzim të Evropës”, ka theksuar ai, duke shtuar se USAID-i po i ndihmon vendit më të ri në Evropë të fillojë të njihet si destinacion turistik.

“Me peizazhin e saj të mrekullueshëm, me male që krahasohen me alpet, me hotele të drejtuara nga familje që ofrojnë kuzhinë tradicionale, Kosova është një vend mahnitës për t’u vizituar. Nisma e ‘National Geographic’ do ta sjellë Kosovën në vëmendje të atyre që planifikojnë të udhëtojnë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Wood ka bërë me dije se Programi për Ndërmarrje Private në Kosovë i USAID-it është një nismë katërvjeçare e filluar në tetor të vitit 2008 dhe ka për synim stimulimin e aftësisë konkurruese të sektorit privat të ekonomisë së Kosovës.

Programi ofron asistencë teknike në sektorët e caktuar nëpërmjet grandeve dhe konsulencës, mbështet përpjekjet e bizneseve për reformimin e ambientit afarist, zgjeron zhvillimin e fuqisë punëtore dhe të trajnimeve, si dhe fuqizon shërbimet e bizneseve dhe shoqatave.

Gazeta EPOKA E RE

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 mars 2023

- Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, nënshkruajnë marrëveshjen financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2022. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)   

-  Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme dhe Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim;  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Në kuadër të Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës viziton shkollën fillore “Naim Frashëri” në Vushtrri. (Shkolla “Naim Frashëri” në Vushtrri, ora 10:00)

- Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Fshati Gllogjan, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi qendror në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s. Merr pjesë dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. (Gllogjan, ora 12:00)

- Pas qëndrimit 3 ditor në protestë punëtorët teknik të 10 shkollave të komunës së Prishtinës takohe me kryetarin të Shoqatave Sindikale për veprimet e mëtutjeshme sindikale. (Selia e Federatës se Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, ora 12:30)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere diskuton rreth situatës në Trustin Pensional ku të ftuar janë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti; Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca; ministri i Financave, Hekuran Murati dhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora  13:30)

- PSD do të mbajë konferencë për media ku do të flas kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, rreth protestës të së shtunës. (Zyrët qendrore të PSD-së, ora 15:00)

- Për nder të 24 marsit, Ditës së Bombardimeve ndaj forcave serbe, Rrjeti i OJQ-ve "AVONET" organizon "Kafen e Miqësisë dhe Falenderimeve". (Lokali “Mom Ami” në “The Village&Shopping&Fun” Ferizaj, ora 19:30)