30 Prill 2024

Turizmi në Shqipëri kërkon lehtësira

Tiranë, 15 prill - Në prag të sezonit turistik, operatorët turistikë në Shqipëri thonë se aplikimi i TVSH-së për turizmin prej 20 përqind, e bën tregun shqiptar më pak konkurues krahasuar me atë rajonal.

Për këtë arsye, \'Shoqata Shqiptare e Turizmit\' kërkon ndërhyrjen e qeverisë për uljen nën 10 përqind të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për hotelerinë, cka do të jepte efekt të drejtpërdrejtë në uljen e cmimit të paketave turistike.

“Për hotelerinë kërkojmë që taksa të jetë nën 10 përqind sepse konkurenca e madhe rajonale e bën të detyrueshme të rishikohet 7, 8 dhe 10 masimumi, ndërsa për restornatet një taksë nga 12-15 përqind kjo na bën të jemi 3-4 përqind më konkurues në rajon”, thotë Enver Mehmeti nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.

Një tjetër masë lehtësuese për operatorët turistikë është heqja e taksës aeroportuale prej 10 euro.

“Kemi prekur taksën e çarterimit prej 10 eurosh që qendron prej 2005. Qendron si taksë rutinë që askush nuk e di se përse qendron dhe që rrit koston e turizmin jo pak, por 10 euro në paketë”, thotë Mehmeti.

Ajo që ka shtuar interesin e turistëve të huaj është përfshirja e Shqipërisë në turet e përbashkëta me Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Por për të përmbushur pritshmërisë e vizitorëve dhe për të bërë që ata të rikthehen sërish për pushime në Shqipëri nevojitet klasifikimi i shërbimeve, rritja e cilësisë së hotelerisë, guidave turistike, kompanive të transportit etj.

Operatorët turistikë vërejnë rritje të numrit të vizitorëve që vijnë nga Gjermania, atyre zviceranë, holandezë, nordikë, bullgarë dhe vendeve të rajonit.