28 Mars 2024

SHBA: Promovohet turizmi i Ballkanit Perëndimor

Washington, 25 qershor - National Georgraphic, është shoqata e njohur amerikane, e cila prej dekadash tregon interes për natyrën, njerëzit dhe gjeografinë.

Kësaj here, interesi i saj u shtri në promovimin e turizmit në Ballkanin perëndimor sepse ky rajon paraqet një kuriozitet të madh për amerikanët për shkak të karakterit të tij mjaft të veçantë.

Ideja e kësaj nisme është afrimi i shteteve të vogla ballkanike për të dalë në tregun global në një mënyrë të përbashkët.

Eksploruesi nga Shqipëria Auron Tare është njëri nga pjesmarrësit në këtë projekt:
 
“Do të thosha se Shqipëria është ende në hapat e para, ka shumë probleme. Ka disa përmirësime në infrastrukturë por ka probleme shumë të mëdha në promovimin e imazhit të saj dhe në atë që turisti gjen kur vjen në Shqipëri”.
 
Pikërisht për të përmirësuar këtë imazh për Ballkanin perëndimor organizohet edhe ky aktivitet.

Amerikanët reagojnë me kuriozitet për vende të tilla si Shqipëria ose Kosova dhe në përgjithësi për Ballkanin perëndimor, kur është fjala për turizëm, por për fat të keq ende ekziston mentaliteti i një dekade më parë se në këto vende nuk ka siguri, nuk ka qendrueshmëri – ky mund të jetë thjesht perceptimi sepse gjërat kanë ndryshuar mjaft në Ballkan.
 
Karolyn Hicki, e cila punon për National Geographic dhe shkruan udhërrëfyes turistikë, thotë se shkoi në Shqipëri pasi ky ishte një destinacion që i tërhoqi vëmendjen.
 
 “Sipas statistikave, në Shqipëri shkojnë vetëm 60 mijë amerikanë në vit, por vendi mu duk i mrekullueshëm”.
 
Klodian Pajuni, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtar të Turizmit Shqiptar, thotë se Shqipëria është në një situatë të mirë për zhvillimin e turizmit, sidomos tani që në rajon, kriza ekonomike dhe financiare po bën punën e vet:
 
“Ne jemi në një situatë në të cilën edhe gjërat e këqia që ndodhin mund të ndikojnë për mirë. Edhe kriza në Greqi, që nuk është e mirë, do të ndikojë shumë për zhvillimin e turizmit shqiptar”.
 
Për shkak të krizës në vende të tjera, një pjesë e turistëve në të vërtetë po i ndryshojnë destinacionet dhe po kërkojnë të vijnë në Shqipëri.
 
“Në përgjithësi, thotë zoti Tare, Shqipëria është një destinacion shumë interesant por shumë komente turistësh kanë të bëjnë me zhvillimin urban të paplanifikuar, ndërtimet pa leje në bregdet apo mosruajtjen e mjedisit”.
 
Shkrimtarja e njohur amerikane, Catherine Neville, librat e së cilës janë përkthyer në 40 gjuhë, përfshirë shqipen, shpreson të vizitojë në të ardhmen Shqipërië.
 
 “U gëzova shumë kur libri im u përkthye edhe në shqip. Një roman tjetër imi është ai me titull “Zjarri” ku flitet për Ali Pashën”.
 
Për amerikanët ka shumë destinacione turistike në botë. Por interesimi që ata kanë filluar të shfaqin për turizmin në Ballkan është një tregues se barrierat po thyhen dhe mentalitetet po ndryshojnë. Shqipëria dhe Kosova duket se do të presin shumë më tepër turistë në vitet që vijnë.

/voa/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)