27 Prill 2024

Ringjallet turizmi në Strugë

Strugë, 18 qershor - Struga, qyteti piktoresk rreth bregut të Liqenit të Ohrit, gjithnjë e më shumë po bëhet destinacion i vizitorëve të shumtë nga të katër anët e botës.

Në fakt, Strugës duket se po i kthehen kohët e mira të “vjetra” kur bëhet fjalë për turizmin. Kjo sepse pothuajse çdo vit ajo vizitohet nga gjithnjë  e më shumë njerëz, dhe sidomos të huaj.

Zërin e mirë po ja çojnë larg këtij qyteti, ata që kanë ardhur njëherë nga jashtë dhe nuk e lënë pa u kthyer përsëri, por edhe bashkatdhetarët tanë me punë të përkohshme jashtë vendit, të cilët gjithnjë  e më shumë krenohen me vendin e prejardhjes së tyre, dhe për bukuritë e tij i informojnë edhe miqtë, në vendet ku ata punojnë dhe qëndrojnë përkohësisht.

Bukuria e Drinit të Zi dhe e Liqenit të Ohrit, ka mahnitur një 65 vjeçar nga Austria, i cili me sugjerimin e disa  bashkatdhetarëve tanë që qëndrojnë dhe punojnë në atë vend, kishte ardhur me autobusin  linjës në Strugë.

Ai shprehet i impresionuar nga ajo që ka parë, këtu dhe në bregdetin shqiptar dhe thotë se do të vijë në këto anë, sa herë që t’i jepet mundësia.

Ndërkaq, krahas bukurisë kaq tërheqëse të këtij qyteti, janë edhe rrethanat tjera të cilat po ndikojnë në kthimin  gjithnjë e më të shumtë të vizitorëve. Ndër të tjera edhe angazhimi i afaristëve, të cilët kanë vendosur që të merren me turizmin, si një nga degët më profitabile të ekonomisë strugane, po jep rezultatet konkrete.

Ata gjithnjë e më shumë po i zbukurojnë ambientet e tyre afariste por edhe e përmirësojnë shërbimin, duke e përshtatur me shërbimin e vendeve të tjera , të njohura për turizëm. Kështu, ata po investojnë shumë  në mënyrë që vizitorët të mbesin të kënaqur.

Dhe, përderisa Struga i ka të gjitha këto potenciale për zhvillimin e turizmit, ajo ka edhe një specifikë tjetër pozitive. Këtu, mund të pushojnë vizitorë të shtresave të ndryshme shoqërore, sepse oferta tristike në këtë drejtim është mjaft e larmishme.

Kjo, sidomos kur bëhet fjalë për thellësinë e xhepit që kanë këta qytetarë. Pra, në Strugë mund të pushohet edhe për pak para, por ama akomodimi  në objektet hotelierike reprezentative për qytetarët e thjeshtë është i papërballueshëm.

Kështu, çmimet për shërbimet turistike sillen prej 200 denarë  deri në 300 denarë për shtrat në sektorin privat, deri në 30 apo 60euro në hotelet më reprezentative, dhe nga 700 deri më 900 denarë në Autokamp shtëpizat në bregun e liqenit.

Në fillimin e sezonit turistik  në Strugë dhoma luksoze, me banjë, terasë dhe  televizor, në sektorin privat, pothuajse gjithmonë, kushton 15 euro, ndërkaq e njëjta, por e një kategorie më të ulët,   mund të gjendet edhe për 10 euro.

Në pikun e sezonit këto çmime mund të jenë pak më të larta, por nuk pritet të shkojnë më tepër se 20 përkatësisht 15 euro. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)