27 Prill 2024

Projekti “Brezovica” rrezikon shkatërrimin e vlerave natyrore

Prizren, 1 korrik - Në kuadër të ftesës për raportimin e rasteve të shkeljeve ligjore nga institucionet “EC Ma Ndryshe” ka pranuar njoftimin e një grupi të qytetarëve në lidhje me Projektin respektivisht Master Planin për Brezovicën. Shqetësimi i ngritur ka të bëj me rrezikun që ky Projekt të dëmtoj vlerat natyrore në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Ndonëse EC Ma Ndryshe është e angazhuar në monitorimin e transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, serioziteti i kësaj çështjeje ka detyruar monitoruesit që të dalin jashtë kornizës së zakonshme të veprimit, duke hulumtuar një rast që lidhet me Parkun Kombëtar “Sharri”, që shtrihet në territorin e komunës së Prizrenit dhe disa komunave tjera të Kosovës.

Interesi publik në këtë rast është i lartë, meqë në hartimin e Master Planit janë të kyçur direkt Qeveria e Kosovës dhe donatorët ndërkombëtarë, të cilët nëse vihen në zbatim të këtij plani rrezikojnë shkatërrimin e vlerave të rralla natyrore të maleve të Sharrit.  

Hulumtimi disa mujor i “EC Ma Ndryshes” ka përfshirë mbledhjen dhe shqyrtimin e planit, të ligjeve si dhe kontaktet me ekspertët e kësaj fushe. Ne bazë të analizave të deritanishme, projekti “Brezovica” edhe pse në opinion paraqitet si projekt zhvillimor me interes nacional lehtësisht mund të degjeneroj në shkatërrimin e shekullit të vlerave natyrore.

Projekti “Brezovica” parasheh realizimin e investimeve në rreth tre mijë e pesëqind hektarët e territorit me vlera të rëndësishme natyrore të PK “Sharri”, që me vendim të Kuvendit të Kosovës është shpall interes nacional. Ai planifikohet të zhvillohet në 5 zona; A, B (ku gjendet ski qendra ekzistuese), C, D dhe E.

Përqendrimi kryesor është në zonën A, që ka sipërfaqen prej 600 hektarësh, e ku gjenden vlerat më të rëndësishme natyrore të Kosovës. Në këtë zonë planifikohet ndërtimi i masiv i objekteve: fshatit, rrugëve, teleferikëve dhe objekteve të tjera, që me vete sjellin prerjen dhe shkatërrimin masiv të ekosistemeve pyjore, florës, faunës, lumenjve dhe tokës.

Ndërsa MMPH-ja thotë se aktualisht nuk ka një plan të aprovuar për zhvillim në këtë zonë dhe se të gjitha zhvillimet e mundshme duhet të jenë në përputhje me rregullat dhe ligjet në fuqi.

Mirëpo, sipas Draft Planit Hapësinor të PK “Sharri” (2009) të hartuar nga MMPH-ja në PK “Sharri” respektivisht në zonën A të Projektit “Brezovica” gjenden dy rezervate strikte të natyrës: Bistra (Ujërat e Humbur) dhe Përrocka e Durlës, në të cilat janë të ndaluara të gjitha aktivitetet njerëzore, në veçanti prerjet dhe shkatërrimi i pyjeve dhe ndërtimet.

Ndërsa në muajin shkurt komisioni ndërministror i QeK për projektin “Brezovica” në MMPH ka dërguar një shkresë që zonat A, B, C, D dhe E, pra hapësira prej afro tre mijë e pesëqind hektarësh, të shpallen si zona të treta me qëllim që të krijohen kushtet ligjore për intervenim njerëzor.

Një gjë e tillë ka iniciuar ndryshimet drejt zhvlerësimit të vlerave natyrore nga zona e parë e mbrojtur në zonë të tretë, edhe pse ky vlerësim është kryer më parë. Marrë parasysh faktin se vet natyra nuk ka pësuar asnjë ndryshim në këtë pjesë atëherë del se ndërhyrja po bëhet në mënyrë arbitrare, bazuar në nevojën për zbatimin e projektit.  

EC Ma Ndryshe ka komunikuar me MMPH-në, respektivisht Kreshnik Berishën, këshilltarin e ministrit Dardan Gashi, i cili ka konfirmuar ekzistencën e shkresës dhe se “në bazë të saj në Draft Planin Hapësinor për PK “Sharri” zona e përmendur identifikohet si zonë e tretë”.

Ai ka pranuar se “parimisht MMPH-ja dhe strukturat e saja relevante kanë qenë kundër një zonimi të tillë” dhe ka shtuar se është lëshuar pe për shkak të efektit ekonomik.

“Duke pasur parasysh efektin ekonomik që do ta ketë projekti në njërën anë, dhe në anën tjetër garancat që i kemi marrë nga Komisioni ndërministror për mbrojtjen maksimale të mjedisit, është vendosur që zona të shndërrohet në zonë zhvillimi. Të gjitha zhvillimet duhet të parashihen me plane përkatëse, të bazuara në rregullat në fuqi, të cilat do ti nënshtrohen kontrollit rigoroz nga të gjitha strukturat përgjegjëse në Ministri”, ka thënë Berisha.

Vlerësimi i ekspertëve të kësaj fushe është se projekti “Brezovica” duhet të ndalet në zonën A me qëllim të parandalimit të shkatërrimit të natyrës. Turizmi mund të zhvillohet në zonat B, C, D dhe E, që nënkupton modernizimin e Qendrës ekzistuese turistike (zona B) dhe zgjerimin e ndërtimin e kapaciteteve të reja turistike në zonat C, D dhe E.

Projekti “Brezovica” sipas ekspertëve përmban në vete shkelje të shumta ligjore dhe mungesë të theksuar transparence. Projekti është në kundërshtim me dispozitat ligjore për Mbrojtjen e Natyrës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Po ashtu shkelen parimet e mbrojtjes së llojeve të mbrojtura dhe të rrezikuara të florës, faunës, kërpudhave dhe zogjve, por edhe habitateve. Për projektin “Brezovica” nuk është bërë Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis dhe Vlerësimi Strategjik Mjedisor.

Projekti është në kundërshtim me përcaktimin e zonave sipas regjimit të mbrojtjes në territorin e PK “Sharri”, në bazë të LPK dhe konventave ndërkombëtare të UICN-së, por edhe me financimin e mbrojtjes së natyrës. (Argumentimi më i gjerë i shkeljeve ligjore nga ekspertët është dhënë si shtojcë e komunikatës).  

EC Ma Ndryshe konsideron se është e papranueshme që me një anë të investohen miliona euro nga buxheti i Kosovës për ruajtjen dhe mbëltimin e pyjeve të reja, derisa në anën tjetër në mënyrë institucionale shkatërrohen pyjet e gatshme, më të vlefshme dhe më të ruajtura në Kosovë, madje që janë nën mbrojtje ligjore.

Përvoja e deritanishme tregon se pas ndërtimit të fshatrave turistike në zonat natyrore qëndrojnë interesat personale të grupeve të caktuara të biznesit dhe politikës. Shembull për këtë është Prevalla, që është paraqitur si projekt nacional zhvillimor me efekt ekonomik ndërsa në realitet paraqet turpin e veprimit njerëzor brenda Parkut Kombëtar.

EC Ma Ndryshe rekomandon komisionin ndërministror, Kuvendin e Kosovës dhe të gjitha institucionet që të ndalojnë zhvillimin e Projektit në zonën A të PK-së, për shkak të vlerave të veçanta natyrore në këtë zonë.

EC Ma Ndryshe i bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që janë pjesë e komisioneve përkatëse, të ndërmarrin iniciativën për kërkimin e sqarimeve nga Qeveria e Kosovës dhe që debati për këtë çështje të jetë pjesë e diskursit publik, në mënyrë që të merren vendimet më të mira për fatin e PK “Sharri”. 

EC Ma Ndryshe bën thirrje që institucionet e Kosovës të ftojnë organizatat ndërkombëtare që merren me çështje ekologjike dhe mjedisore, si UICN, BE, WWF, REC, që t’i vlerësojnë pasojat e mundshme mjedisore të Projektit “Brezovica” para zhvillimit të mëtutjeshëm të projektit.

EC Ma Ndryshe kërkon që zhvillimi i turizmit të mos koncentrohet në një zonë me sipërfaqe prej tre mijë e pesëqind hektarësh, por investimet të shpërndahen në mënyrë proporcionale në zonat tjera turistike, që janë të shumta në PK “Sharri”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)