28 Prill 2024

Nis pastrimi i plazheve në Shqipëri

Tiranë, 23 mars - Nisi nga Gjiri i Lalzit fushata për pastrimin e plazheve në prag të çeljes së sezonit turisitk 2014. Edhe sivjet, Parku i Pishave pranë këtij plazhi ishte tejet i ndotur.

Mbi 220 vullnetarë, anëtarë të Korpusit Shqiptar të Vullnetarëve morën pjesë në këtë aksion, të cilëve iu bashkuan dhjetra nëpunës të Ministrisë së Turizmit, Ministrisë së Mjedisit dhe nëpunës të administratës së Komunës Ishëm e cila administron këtë zonë turistike.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka, pjesëmarrës në këtë aksion, falenderoi aktivistët e korpusit të vullnetarëve dhe theksoi përgjegjësitë e pushtetit vendor për këtë çështje

“Ne u kemi dërguar një shkresë të gjithë komunave dhe bashkive në Shqipëri, nëse fillon gjoba me 500 mijë lekë dhe përfundon me 1 mln lekë, tendenca do të jetë tek 1, pra jo tek 500 mijë lekëshi. Dua t’i garantoj që për shumë prej tyre do të bëhet propozimi, gjithmonë konform ligjit për t’i larguar nga ushtrimi i detyrës që kanë. Kërkush nuk i ka vënë të detyruar kryetarë komune apo bashkish. Janë vënë atje për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë. Të mos bësh asgjë për mjedisin si kryetar komune apo bashkie do të thotë se ke shkelur rëndë ligjin për pushtetin vendor”, deklaron Ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Drejtuesi i Korpusit të Vullnetarëve, Mentor Kikia tha se këto aksione do të çojnë jo vetëm në pastrimin e zonave turistike, por janë edhe një apel i fortë për të gjithë ata që janë përgjegjës dhe ata që ndotin mjedisin.

“Kjo që në po bëjmë vërtet po çon në pastrimin e këtyre zonave turistike, por më shumë se sa kaq kjo është një protestë ndaj pushtetit vendor, ndaj pushtetit qendror që janë përgjegjës për mbajtjen pastër të këtyre mjediseve, por mbi të gjitha protesta ndaj atyre qytetarëve që kanë ardhur, kanë shfrytëzuar këto lëndina dhe kanë hedhur mbeturinat këtu dhe në dhjetra vende të tjera si ky”, deklaron kreu i Korpusit të Vullnetarëve, Mentor Kikia.

Edhe vullnetarët u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos ndotin mjedisin, ndërsa e shfrytëzojnë atë për t’u çlodhur. Vullnetarët bënë mbledhjen e diferencuar të mbeturinave, duke grumbulluar veç mbetjet plastike, të cilat përbëjnë edhe shumicën e tyre, dhe ua dorëzuan fabrikave të riciklimit.

Gjatë muajve prill dhe maj do të behet pastrimi i të gjitha plazheve nga Velipoja deri në Orikum.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)