28 Mars 2024

Në Shqipëri po mbahet Forumi Ndërkombëtar i Turizmit

Tiranë, 4 prill -  Në Shqipëri po mbahet Forumi Ndërkombëtar i Turizmit, ndërkohë në kudër të forumit është organizuar paneli me temë "Roli i qeverive në formësimin e agjendave të turizmit të së ardhmes", me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga disa vende, raporton Anadolu.

Në panelin e diskutimit të mbajtur në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm ministra, zëvendësministra dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme nga Shqipëria dhe vende të tjera.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, në fjalën e saj në panel tha se njerëzit janë pjesë e ekosistemit mjedisor dhe në këtë kontekst sipas saj përgjegjësia është shumë e madhe.

"Besoj si një lloj gjetje ekuilibri qeveria shqiptare i ka vënë të dyja në një portofol për të zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme dhe për të mbrojtur mjedisin si një pasuri të jashtëzakonshme klimatike, mjedisore, por edhe si një ofertë të diversifikuar të turizmit", theksoi Kumbaro.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, u shpreh se duhet të jenë më aktivë dhe duhet të organizojnë më tepër projekte së bashku.

"Dua t’i përdor gjithmonë këto panele si një mësim, si pika të reja kontakti, si mundësi të reja. Ne po promovojmë dhe po mbështesim zhvillimin rajonal dhe fshatrat turistikë dhe i përgëzoj gjithë vendet që kanë fshtra turistikë", u shpreh Pololikashvili.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit i Malit të Zi, Goran Gjuroviq, tha se turizmi është pjesë kryesore e ekonomisë së Malit të Zi.

"Shqipëria po ndryshon rrënjësisht nga njëri vit në tjetrin dhe për këtë ju përgëzoj. E kam për kënaqësi që kemi këtë mundësi të shkëmbejmë ide, mendimet, përvojat tona. Ajo çfarë duhet është bashkëpunimi mes vendeve tona në Ballkanin Perëndimor dhe ne e kemi nisur këtë bashkëpunim", tha Gjuroviq,

Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës, Stasha Kosharaç, u shpreh se duhet të angazhohen më tepër me qasjen rajonale dhe të përdorin sipas tij produkte të cilat janë simbol i të gjithë Ballkanit

"Kemi mundësi patjetër për zhvillimin e turizmit dhe kemi zhvillim të shpejtë pas pandemisë COVID-19. Turizmi ka patjetër goxha investime dhe kemi gjithashtu marrëdhënie edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme në këtë kuadër. Mund të ecim përpara dhe mund të bëjmë hapa të tjerë për përmirësimin e mëtejshëm të turizmit në Bosnjë dhe Hercegovinë", tha Kosharaç.

Ministri i Turizmit i Bullgarisë, Ilin Dimitrov, theksoi se cilësia e shërbimit është ajo që vlen, sepse sipas tij njerëzit gjithmonë rikthehen kur shërbimi është i mirë, ushqimi është i mirë, turizmi është i qëndrueshëm dhe ku mjediset janë të pastra.

Ndërkohë, në event mbajti një fjalë përshëndetëse edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe pjesë e panelit ishin edhe zyrtarë nga Kroacia, Greqia, Lituania dhe vende të tjera.

Gjithashtu u mbajtën edhe panele të tjera diskutimi në lidhje me temat për strategjitë e perspektivave të investimeve dhe roli i donatorëve në strategjitë e zhvillimit të turizmit.

Në kuadër të forumit, ministrja Kumbaro dhe Pololikashvili zhvilluan takim me ministrat Kosharaç, Gjuroviq, Dimitrov dhe përfaqësues të tjerë të ministrive të turizmit nga Greqia dhe Kroacia.

Forumi i cili mbahet në datat 3-5 prill në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, organizohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit (UNWTO), ndërsa në fokus të tij janë tema lidhur me turizmin e qëndrueshëm, trendet e së ardhmes së tij dhe strategjitë e zhvillimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)