29 Prill 2024

Klasifikohen hotelet e para në Kosovë

Prishtinë, 8 maj - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shpërndau certifikatat e para për subjektet hoteliere të klasifikuara dhe të kategorizuara. Të enjten pesë hotelet e para kanë marr vlerësimin e komisionit profesional të cilët kanë vlerësuar se hotelet që kategorizohen me pesë yje janë hoteli “Emerald” dhe hoteli “Swiss Diamond”.

Ky komision ka vlerësuar se hotel “OK”, hotel “Amazona” dhe hoteli “Çarshia e Jupav”, mund të mbajnë 3 yje. “Jam shumë i lumtur që kemi ardhur deri në këtë pikë, që për herë të parë kemi implementuar një sistem të klasifikimit të kategorizimit ashtu siç kemi dashur kur është iniciuar Ligji për Turizmin.

Një sistem vullnetar, një sistem transparent të implementuar nga një komision profesional me përmbajtje nga të gjitha palët e fushës më pjesëmarrje të Ministrisë dhe i cili sot po i shënon edhe rezultat e para të punës së vet”, ka thënë ministri Bernard Nikaj, me rastin e ndarjes së certifikatave të para.

Ai me tej theksoi se ky do të jetë një proces i vazhdueshëm. “Unë shpresoj që javën tjetër do të ketë certifikata të tjera që do të shpërndahen dhe çdo javë do të përcillet me objekte hoteliere të klasifikuara, kategorizuara, në mënyrë që me datë 30 qershor ne të kemi një gjendje në terren e cila përkon me standardet që i parasheh Ligji për Turizëm dhe Udhëzimi Administrativ lidhur me klasifikimin dhe kategorizimin e hoteleve”, ka thënë ai.

Ministri Nikaj, theksoi se qëllimi është që të sigurohet një cilësi dhe një transparencë në ofrimin e shërbimeve, dhe t’u garantohet atyre turisteve që vijnë në Kosovë  kualiteti i shërbimeve nga të gjitha objektet një lloj.

“Dhe kjo mund të arrihet vetëm atëherë kur ne të kalojmë nëpër një proces të vlerësimit i cili është transparent, i cili bëhet nga një komision profesional.

\"Ne kemi arritur që këtë ta bëjmë pa kosto të subjekteve hoteliere dhe për objektet e tjera turistike që besoj është zgjidhja më e mirë. Pas datës 30 qershor do të shkojmë në një proces ku Inspektorati i Tregut do të merret me ato objekte të cilat vazhdojnë të reklamojnë kategorizimin ose klasifikimin e tyre dhe nuk kanë kaluar nëpër këtë proces, për të cilin po flasim ne sot”, ka thënë Ministri Nikaj.

Duke shtuar se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e sheh sektorin  e turizmit si njëri ndër sektorët me potencial  të madh që të tërheq turistë, por edhe të zhvillohet në të ardhmen.

Ai po ashtu tha se ekziston një bashkëpunim i ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë dhe qeveritë e vendeve tjera të rajonit, ku po provohet të ndërtohen paketa të përbashkëta turistike me vendet e rajonit. “Besoj që procesi i kategorizimit do t’i ndihmojë ngritjes së cilësisë së ofertës sonë ndaj turistëve dhe vizitorëve edhe atyre të brendshëm dhe atyre ndërkombëtare”, theksoi Ministri Bernard Nikaj.

Valbonë  Dushi, Drejtoreshë e Departamentit të Industrisë, ka thënë me këtë rast se nga subjektet hoteliere interesimi ka qene mjaft i madh. “Ne jemi në proces, mirëpo sot jemi mbledhur në këtë ceremoni të rastit të bëjmë shpërndarjen e parë të certifikatave të këtyre subjekteve të kategorizuara, pasi që kemi në vazhdimësi edhe vlerësimet e tjera të cilat na kanë ardhur”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Zekë Çeku, anëtar i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, ka thënë se procesi i klasifikimit jo vetëm te ne por përgjithësisht në botë është një proces jashtëzakonisht sfidues dhe i vështirë.

“Mund të them që starti, përkundër vështirësive, përkundër sfidave, është mjaft i suksesshëm në radhë  të parë duke siguruar kompetencën e komisionit, bashkëpunimin e madh të Ministrisë dhe të operatorëve ekonomikë, të përfaqësuesve të hotelit të cilët gjatë tërë kohës kanë qenë të interesuar dhe bashkëpunues.

Ndërtimi i procesit bazohet në përvojat më të mira ndërkombëtare. Ne kemi marrë përvojat e shteteve të Evropës Qendrore siç është Gjermania, Zvicra, Hungari Holanda etj... gjithsesi kemi marrë edhe përvojat e rajonit”, ka thënë ai. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)