03 Maj 2024

Hapet zyra informative e turizmit në Kosovë

Prishtinë, 11 korrik - Është hapur për herë të parë të enjten në Prishtinë, Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës, e cila i ndihmon të gjithë turistët ndërkombëtarë por edhe ata vendorë të informohen për bukuritë natyrore, objektet kulturore, që i posedon Kosova.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ka thënë se hapja e kësaj zyre informative për turistët ka një rëndësi të veçantë sepse, sipas tij, kjo do të jetë një pikë e rëndësishme e ardhjes së të turistëve të huaj por edhe qytetarëve nga e tërë Kosova, që të marrin informata të mjaftueshme për Prishtinën dhe qytetet e tjera.

Sipas Mustafës, i rëndësishme është edhe krijimi i turizmit të lidhur edhe me vendet e tjera në regjion.

“Të shtojmë bashkëpunimin me vendet në regjion në mënyrë që të krijojmë një turizëm të lidhur me kryeqytetet e tjera në regjion dhe pjesët turistike të këtyre vendeve dhe të afirmojmë objektet e trashëgimisë tonë historike, trashëgiminë tonë kulturore, objektet e reja të cilat tani kanë një pamje mjaftë të mirë dhe po i japin një pamje karakteristike kryeqytetit tonë dhe Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa zëvendës ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cuneyd Ustaibo, ka përgëzuar shoqatën për hapjen e kësaj zyre e cila sipas tij i jep mundësi të madhe zhvillimi gjitha qyteteve të Kosovës.

“Kjo zyre ka një rëndësi të madhe në zhvillimin e turizmit jo vetëm të Prishtinës por edhe të mbar Kosovës, andaj përgëzojmë shoqatën e turizmit alternativ të Kosovës dhe gjithë akterët mbështetës për hapjen e zyrës informative të turizmit”, ka shtuar Ustaibo.

Edhe kryetar i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti, ka pohuar se qëllimi i hapjes së kësaj zyre është informimi sa më i qartë për të gjithë vizitorët që dëshirojnë të njihen sa më afër me vendet e bukura që i ka Kosova.

“Qëllimi i kësaj është informimi sa më i qartë për gjithë vizitorët ndërkombëtarë, për të gjithë vizitorët dhe grupet që dita e ditës po shtohet, por edhe për diasporën e cila ka nevojë për informata më të hollësishme për rreth vende, bukurive natyrore, që Kosova ka mjaft”, ka theksuar Hoti.

Ndërsa, hapja e kësaj zyre është mundësuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si dhe disa donatorëve. Të gjithë ata që dëshirojnë të informohen për turizmin në Kosovë, zyra gjendet në Sheshin \"Zahir Pajaziti\", pjesa veriore e Hotelit Grand.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)