29 Prill 2024

Hapet Panairi i Turizmit, Udhëtimeve dhe Hotelerisë

Prishtinë, 28 maj - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, ka marrë pjesë të mërkurën në hapjen zyrtare të edicionit të 11-të të Panairit të Turizmit, Udhëtimeve dhe Hotelerisë “Travel 2014”.

Me këtë rast, Ministri Nikaj ka mbajtur një fjalë rasti ku ka përgëzuar organizatorët për panairin dhe ka shprehur përkrahjen e mëtejshme të Ministrisë që ai drejton për zhvillimin e sektorit të turizmit.

Nikaj shprehu besimin se ky vit shënon një kthesë sa i përket zhvillimit të turizmit në Kosovë por edhe në pikëpamje regjionale. “Sivjet për herë të parë ne kemi filluar një proces shumë të rëndësishëm të klasifikimit dhe kategorizimit të hoteleve, i cili besoj që do ta rrit vlerën dhe kualitetin e ofertës vendore për turistët vendorë dhe ndërkombëtarë”, tha ai.

Ministri Nikaj po ashtu theksoi që ka një iniciativë të shtuar që turizmi të shihet si një bashkëpunim regjional, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe që së bashku, katër vendet të prezantohen te turistët ndërkombëtarë dhe të ofrohen paketa të përbashkëta turistike. Për më tepër Nikaj, ka cekur hapat konkretë që janë marrë në këtë drejtim.
Ministri i MTI-së, po ashtu shprehu bindjen se këto hapa konkretë dhe organizimi i këtij panairi do t’i shtojë vlerën në përgjithësi sektorit të turizmit në Kosovë, duke premtuar vazhdimin e  mbështetjes së MTI-së për sektorin e turizmit, jo vetëm me politika të mira, por edhe me përkrahjen e projekteve specifike si dhe përkrahjen e promovimit të turizmit në të gjitha anët e botës.

Të pranishmit në këtë ceremoni i ka përshëndetur edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili ndër të tjera theksoi rritjen e përpjekjeve që mikpritja e turistëve nga Kosova, në të gjitha pikat turistike të Shqipërisë, të jetë sa më e mirë.

Julinda Dhame, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë, foli për punën konkrete që po zhvillohet ndërmjet dy shteteve, në bazë të një marrëveshjeje që është lidhur me MTI-në për paketat e përbashkët turistike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. “Kemi arritur në produktin e përbashkët që është ai i Gjakovës dhe Valbonës, ndërkohë, jemi duke punuar me paketën rajonale për sa i përket Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë për ‘udhëtimin e aventurës’”, bëri të ditur Dhame.

Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, ka folur për potencialet e shumta turistike të Ulqinit duke ftuar kosovarët që të kalojnë ditët verore në Ulqin. Ai tha që përfaqësuesit e Ulqinit në këtë panair do të shfaqin kontrastet e bukura që ofron Ulqin për sezonin turistik të sivjetshëm.

Një prezantim të shkurtër në këtë ceremoni e ka bërë edhe Drejtori i Agjencisë së Turizmit të Komunës së Prizrenit.

Në fund është bërë prerja ceremoniale e shiritit të hapjes së këtij panairi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)