Vetëvendosje: Më 14 janar Lugina e Preshës nuk do të pengohet

Prishtinë, 11 janar - Lëvizja Vetëvendosje i ka garantuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, se me bllokimin e kufijve me Serbinë, më 14 janar, nuk do të sanksionohen shqiptarët e tre komunave shqiptare të mbetura nën Serbi.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka njoftuar përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës, se më datën 14 janar, do të bllokojnë pikat kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë, e jo shqiptarët që janë të diskriminuar, dhe kundër vullnetit të tyre kanë përfunduar në shtetin e Serbisë.
Vetëvendosje i ka njoftuar përfaqësuesit e Luginës se gjatë bllokimit të pikave kufitare do t`i lejojnë të kalojnë lirshëm edhe prodhuesit shqiptarë që vijnë nga atje, ka thënë Kurti, thuhet në nje deklaratë për mediat publikuar nga kjo Lëvizje.
Reagimi i Kurtit ka ardhur pas një takimi që përfaqësuesit e këtij subjekti zhvilluan me përfaqësuesit e partive politike nga Lugina e Preshevës.
Këta të fundit kanë shprehur shqetësimet e tyre me detyrimin për të paguar 60 euro taksë për të kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë. Ndërkaq, sipas tyre, e gjithë kjo vjen si rezultat i vendimit të ministrit Bajram Rexhepi, ku serbët nga Kosova janë lejuar të përdorin targat e vjetra të Serbisë, e si rezultat i këtij lejimi ata kalojnë kufirin Kosovë Serbi pa paguar asnjë detyrim në asnjërën anë të kufirit.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës ngritën edhe një varg problemesh me të cilat ballafaqohen shqiptarët e ati rajoni. Ata treguan se çdo ditë ballafaqohen me forma të ndryshme të presionit, duke filluar nga përndjekjet e burgosjet policore, prania e ushtrisë e deri te diskriminimi ekonomik e social.
Sipas përfaqësuesve të Luginës, nëse 25 për qind është shkalla e papunësisë në mbarë territorin e Serbisë, në tre komunat e banuara me shqiptarë, kjo shifër arrin mbi 70 për qind.