03 Maj 2024

Spekulimet e tepruara në bursa shkaktojnë pasiguri

Paris, 26 nëntor - Presidenti francez Nikolas Sarkozy i ka vënë vetes si detyrë luftën kundër spekulatorëve në mbarë botën sipas te cilit spekulatorët janë, ata të cilët nga lakmia e tyre për përfitim mund të shkaktojnë revolta

Çmimet e ushqimeve vazhdojnë të ngrihen në mbarë botën. Pavarësisht se çfarë, gruri, mishi, sheqeri ose qumështi: të gjitha këto produkte ushqimore kushtonin në pranverën e vitit 2011 në tregjet botërore të paktën dy herë më shumë se para dhjetë vitesh. Arsyetimet e zakonshme se fajtor për ngritjen e çmimeve janë konsumi në rritje në vendet në ekspansion dhe rendimentet e dobëta, këto nuk mjaftojnë tani për askënd.

Ekspertët e Institutit Ndërkombëtar për hulumtime të politikave agrare dhe ushqimit (IFPRI) me seli në Uashington janë të bindur se rreth një e treta e ngritjeve të fundit të çmimeve për produktet bujqësore janë vepër e spekulatorëve. Ata angazhohen për çmime më të larta në bursë për orizin, misrin ose sojën.

Kjo temë ndodhet lart në krye të agjendës së Grupit të 20 fuqive më të mëdha ekonomike në botë. Kjo për faktin se sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të ushqimit (FAO) çmimet e larta të ushqimit, kanë çuar në nivel rekord prej një miliard numrin e njerëzve të uritur në botë.

Megjithatë dëshmia se spekulimet dhe uria kanë të bëjnë me njëra tjetrën është e vështirë, thotë Stephan Rudoplh, sekretar për zhvillimin rural  në Ministrinë gjermane të Bujqësisë: "Ne supozojmë se spekulimet e tepruara në bursat e parakontratave për shkëmbimin e mallrave shkaktojnë pasiguri, gjë që nuk është e mirë sepse në fakt  këto tregje kanë për detyrë mbrojtjen e çmimeve."

Parakontratat për mallrat duhet të mbrojnë prodhuesit dhe konsumatorët ndaj rritjes së çmimeve. Shumë kohë para se mallrat të jenë dorëzuar, prodhuesi dhe blerësi pajtohen në një parakontratë në të cilën saktësohen sasia e furnizimit dhe çmimi. Kjo krijon sigurinë e planifikimit, pavarësisht nëse çmimet në tregun botëror ngrihen ose bien.

Ka dhjetë vjet që funksioni i parakontratave për tregjet e mallrave kalon gjithnjë e më shumë në sfond. Sepse po sundojnë të ashtuquajturat ethet e kërkuesve të arit: kush spekulon për ngritjen e çmimeve të mallrave, mund të fitojë shumë para.

Prandaj, gjithnjë e më shumë aktorë të rinjë hyjnë në treg. Rreth 600 miliardë dollarë kapitale të reja kanë vërshuar në tregjet e mallrave - 40 herë më shumë se para dhjetë vitesh. Ata janë duke u joshur nga perspektiva e renditmenteve të larta. Nuk është çudi që në këtë sektor rrjedhin çdo muaj deri në dhjetë miliardë dollarë amerikanë para të reja, vlerëson IFPRI.

Luhatjet ekstreme të çmimeve janë rezultat i këtij vërshimi të parave, thotë Michael Windfuhr, zëvendësdrejtor i Institutit Gjerman për të Drejtat e Njeriut në Berlin. Dhe kjo prek sidomos më të varfërit: "Çmimet janë shpesh deri në 30 apo 40 për qind më të larta se sa që duhet të jenë në të vërtetë....

"Kur bëhet fjalë për urinë  ky është një zhvillim shumë problematik dhe në shumë vende kjo ka çuar edhe në trazira. Kjo bën po ashtu që shumë të varfër të konsumojnë kursimet e tyre të fundit ose të japin me qira apo të shesin edhe pjesë e fundit të tokës. Në këtë mënyrë varfëria thellohet edhe më shumë."

Një iniciativë e G20-ës tani përpiqet të fusë nën kontroll ngritjen e çmimeve. Nën presidencën franceze të G20-ës është vendosur për ngritjen e një sistemi informativ të tregjeve agrare ndërkombëtare. Ky sistem duhet të hedh dritë mbi errësirën që ka kapluar parakontratat për mallërat ushqimore.

Rreth 90 për qind e këtyre bizneseve janë zhvilluar deri tani jashtë vendeve të bursave të rregulluara për shkëmbimin e mallërave. Komisioni Evropian propozon që tregtia me parakontrata të lejohet vetëm në tregjet apo platformat e rregulluara.  Detyrimet raportuese për tregtarët dhe më shumë kompetencat të ndërhyrjes për autoritetet mbikëqyrëse do të frenonin tërbimin e spekulatorëve.

Sidoqoftë lufta kundër urisë është larg fitores edhe pas një viti të presidencës franceze të G20-ës. Në këtë pikë nuk ka ndryshuar asgjë as paralajmërimi i zëshëm i presidentit Nikolas Sarkozy në muajin janar.

Në samitin e G20-ës në Kanën franceze në nëntor, nevojat e të uriturve luajtën përsëri një rol të dorës së dytë. Të gjitha forcat Evropa ia kushtoi sërish krizës së borxheve të euros. Çështjet e moralit dhe etikës janë diskutuar sërish vetëm kalimthi.

 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)