30 Prill 2024

Spanja dobëson euron

Madrid, 15 dhjetor - Euro vazhdon të humbë terren në bursat ndërkombëtare. Deri në mesditën e sotme listohej me 0,5% të vlerës më pak ndaj dollarit dhe 0,2% me paundin britanik, krahasuar me kursin e mëngjesit. Dita e hënë ishte gjithashtu e errët për monedhën e përbashkët.

Pas goditjeve të dhëna nga kolapsi grek dhe kriza irlandeze, situata e rëndë e ekonomisë spanjolle e ka rritur skepticizmin ndaj euros, duke shtyrë në uljen e operacioneve me këtë monedhë nga koorporatat e mëdha.

Qeveria e Madridit këmbëngul se ekonomia nuk është në prag të greminës, por ekspertët besojnë se vendi do të jetë i detyruar t’i kërkojë një hua masive Bashkimit Europian në fillimin e vitit të ardhshëm.

Spanjës i nevojiten 290 miliard euro për të kompensuar defiçitin e saj në vitin 2011, 90 miliard prej të cilave hua që bankat i kërkojnë qeverisë qëndrore për të mos rrezikuar falimentimin. Me ekonominë në rënie, ka pak gjasa që vendi iberik të jetë në gjendje të sigurojë i vetëm këto fonde.

Eurozona u lëkund fillimisht nga kolapsi i ekonomisë greke, që u detyrua të kërkonte një borxh prej 110 miliard eurosh në Bankën Qëndrore Europiane. Republika e Irlandës firmosi pak ditë më parë marrjen e një borxhi prej 85 miliardësh, ndërsa Portugalia është gjithashtu në rrezik. Megjithatë, një krizë e mundshme në ekonominë spanjolle do të përbënte krizën e parë të një vendi të madh brenda Bashkimit Europian