16 Prill 2024

Shqipëri, Tregtia me Kosovën rritet me 36 për qind

Tiranë, 16 korrik - Volumi i tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës arriti në rreth 100 milionë euro gjatë vitit 2010, me rritje 36 për qind kundrejt vitit 2009, duke reflektuar lehtësitë e krijuara nga autostrada e re Rrëshen-Kalimash-Morinë, por ky nivel tregtie mbetet ende i papërfillshëm në krahasim me volumin e përgjithshëm tregtar të Shqipërisë.

Sipas statistikave zyrtare, eksporti i Shqipërisë drejt Kosovës arriti në 72 milionë euro me rritje 40 për qind kundrejt vitit 2009, ndërsa importi ishte 27 milionë euro me rritje 28 për qind. Statistikat nuk janë të detajuara për të dalluar se sa prej këtij volumi përbëhet nga mallrat transit dhe sa prej mallrave kanë origjinë prodhimi Shqipërinë dhe Kosovën.

Shqipëria ka një volum të tregtisë së jashtme prej 4.6 miliardë eurosh ndërsa Kosova ka një volum prej 2.5 miliardë eurosh. Tregtia prej 100 milionë eurosh mes dy vendeve përbën vetëm 1.4 për qind të volumit të kombinuar të tregtisë të këtyre dy vendeve. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë një bazë të vogël eksportesh.

Shqipëria është e specializuar në eksportin e veshjeve, këpucëve dhe lëndëve të para, të cilat kanë avantazhin e krahut të lirë të punës dhe afërsisë me transportin detar. Kosova eksporton përgjithësisht prodhime të industrisë ushqimore dhe baza e saj e eksporteve është edhe më e ulët. Sektori më i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve është sektori i shërbimeve turistike, të cilat nuk përfshihen në statistikat e tregtisë së mallrave.

Sektori më premtues për rritjen e volumit të tregtisë mes dy vendeve është energjia elektrike, kryesisht për shkak se burimet energjetike në Shqipëri janë të përqendruara tek uji, ndërsa në Kosovë te qymyri.

Bashkëpunimi në këtë sektor është i dobët aktualisht kryesisht për shkak se të dyja vendet janë deficitare në prodhimin e energjisë elektrike dhe se Shqipëria ka përzgjedhur procedurat e tenderimit për eksportet dhe importet e veta të energjisë, gjë që ka futur në këtë treg ndërmjetës të interesuar më shumë për rritjen e çmimeve të energjisë dhe nuk kanë leverdi për rritjen e eficiencës energjetike që mund të vijë nga rritja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)