02 Maj 2024

Rritet tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës

Tiranë, 27 nëntor - Eksportet shqiptare u rritën me 20.2 për qind gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti kryesuar nga rritja e eksporteve të lëndëve djegëse (kryesisht naftë), si dhe eksporteve të mallrave të përpunuar (kryesisht veshje dhe këpucë), bëhet e ditur nga statistikat e tregtisë së jashtme që u publikuan dje nga Banka e Shqipërisë.

Gjatë dhjetëmujorit, Shqipëria eksportoi 1.16 miliardë euro mallra, nga 969 miliardë që pati eksportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Mallrat e përpunuar, ku përfshihen veshjet dhe këpucët, përbëjnë pjesën dërrmuese të eksporteve dhe këtë vit kanë përfituar nga krizat politike në Afrikën e Veriut, gjë që ka rritur kërkesën për manifakturën shqiptare.

Eksportet shqiptare mund të ndahen në eksporte të krijuara nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, si nafta apo mineralet dhe në eksporte që krijohen nga përdorimi i krahut të lirë të punës.

Ndërkohë, Shqipëria importoi 3.15 miliardë euro mallra me rritje 12 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, kur u importuan 2.82 miliardë euro. Lëndët djegëse dhe makineritë e pajisjet shënuan rritjen më të fortë, ndërkohë që pijet dhe duhani shënuan rënie 10.7 për qind.

Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës pësuan një rritje prej 40 për qind gjatë periudhës janar-tetor me rritjen më të madhe të shënuar pas muajit korrik, kur Prishtina vendosi një embargo të përkohshme ndaj mallrave të Serbisë.

Megjithëse embargoja u hoq disa javë më vonë, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës vijuan të rriten dhe shënuan maksimumin në tetor me 12.4 milionë euro.

Në total Shqipëria eksportoi 85.6 milionë euro mallra drejt Kosovës këtë vit nga 61 milionë që pati eksportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Importet e Shqipërisë nga Kosova u rritën gjithashtu me 40 për qind dhe arritën në 32 milionë euro këtë vit nga 23 milionë euro të shënuar në periudhën janar-tetor 2010.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)