31 Mars 2023

Reciprociteti me Bosnjën vazhdon

Prishtinë, 9 shtator - Pas marrëveshjes që ka arritur Kosova me Serbinë për vulat doganore, Bosnja e Hercegovina mbetet i vetmi shtet në rajon që nuk i njeh Doganat e Kosovës.

Më 20 korrik, Qeveria e Kosovës ka vendosur masa të plota reciproke për produktet e Serbisë, ndërsa taksë doganore prej 10 për qind për të gjitha mallrat që vijnë nga Bosnja fqinje.

Serbia dhe Bosnja janë dy shtetet, të cilat që nga viti 2008 kanë bllokuar produktet kosovare, në kuadër të marrëveshjes për tregtinë e lirë – CEFTA.

Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se masa ndaj Bosnjës do të vazhdojë, derisa kjo e fundit të heqë taksën doganore për mallrat kosovare.

Nga bisedat me autoritetet boshnjake, Kusari Lila shprehet optimiste se Bosnja do t’i njohë së shpejti vulat doganore të shtetit kosovar.

“Në Bosnjë e Hercegovinë është një qeveri, e cila, në kontaktet që kemi pasur, ka thënë se ka mandat teknik dhe nuk ka mandat politik për të vendosur një gjë të tillë”.

“Përfaqësues të Bosnjës kanë thënë se në vjeshtë, gjegjësisht në muajt në vijim, do të krijohet qeveria e re, e cila do të diskutojë çështjen”, thotë Kusari Lila për Radion Evropa e Lirë.

Më pak optimistë janë ekspertët e çështjeve të ekonomisë. Bedri Selmani nuk beson se Bosnja do t’i pranojë vulat doganore të Kosovës, derisa të krijohet një qeveri me mandat të plotë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme në atë shtet.

Megjithatë, sipas tij, Sarajeva ka më shumë interes për t’i normalizuar marrëdhëniet ekonomike me Prishtinën, pasi, siç thotë, mallrat kosovare janë shumë pak të pranishme në tregun e Bosnjës, ndërsa produktet boshnjake janë në sasi të mëdha në Kosovë.

“Eksporti kosovar në Bosnjë është aq i vogël, është aq imët, saqë nuk ia vlen as të diskutohet, kurse importi nga ky shtet është shumë i madh. Në këto raste, gjithmonë shteti që eksporton duhet të interesohet shumë më shumë, sesa shteti që importon”, thotë Selmani.

Vetë përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Bosnjës kanë vlerësuar se praktika e mosnjohjes së Doganave të Kosovës duhet të ndërpritet, sidomos pas marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi.
Shifrat e tyre flasin për 5 milionë euro humbje vetëm gjatë periudhës së aplikimit të taksave doganore për produktet boshnjake.

Fabrika e keksit “Zveçevo Lasta” është njëra nga kompanitë e Bosnjës, e cila që nga 20 korriku nuk ka arritur të bashkëpunojë me kompanitë kosovare.

Drejtori i kompanisë në fjalë, Stojan Kreshiq, megjithatë, është optimist për zgjidhjen e çështjes.
“Në bisedimet me ndërmarrjen, me të cilën ne bashkëpunojmë, mendoj se kemi pozicione të mira që të vazhdojmë edhe më tutje këtë bashkëpunim”, thotë Kreshiq për Radion Evropa e Lirë.

Kompania farmaceutike “Bosnalijek” është një tjetër firmë boshnjake, e cila eksporton prodhimet e saj në Kosovë.

Genc Buçinca, drejtor i përfaqësisë së “Bosnalijek”-ut në Kosovë, thotë se produktet e saj kanë hyrë në tregun kosovar edhe pas vendosjes së taksës doganore.

“Ka hyrë mall dhe importuesi jonë ka paguar doganë të rregullt dhe taksë doganore”, thotë Buçinca, i cili dyshon se çmimet e këtyre produkteve do të mbeten të njëjta, nëse nuk rregullohen marrëdhëniet ekonomike Prishtinë-Sarajevë.

Kosova është vendi i vetëm, me të cilin Bosnja ka një bilanc pozitiv tregtar. Eksportet e saj në Kosovë kapin shumën prej 100 milionë eurosh në vit, ndërsa importet llogariten në vetëm 20 milionë euro.(rel)

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 mars 2023 - Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Burimit, Komuna e Malishevës organizon akademi përkujtimore. (Salla e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë me ç’rast do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, si dhe në bazë të këtyre gjetjeve do të ndahet “Çmimi për Gjykatën më Transparente” - për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Kryetari I Federatës Sindikale te Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me protestën dhe grevën e punëtorëve teknik të këtij spitali që veq ka filluar para dy ditësh. (Spitali Isa Grezda në Gjakovë, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. (Kompleksi i Martirëve, Pastasel, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bën homazhe në varrezat e martirëve në fshatin Dragobil dhe të Kompleksi në vendin e ngjarjes Vrella e Mëhillit. (Fshati Burim, ora 12:00)

- Komuna e Prishtinës përuron hapësirën e dedikuar për sigurinë e nxënësve dhe komunitetin në hapësirat përreth Shkollës Fillore “Elena Gjika”. (Afër shkollës, ora 13:00)

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon Asamblenë e Punës për vitin 2022. (Hotel Emerald, ora 17:00)