29 Mars 2024

Qeveria e Kosovës bllokon mallrat serbe

Prishtinë, 20 korrik - Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për zbatimin e masave të reciprocitetit në shkëmbimin tregtar me Serbinë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën.

Duke u nisur nga fakti se kanë dështuar arritjet e marrëveshjeve për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel, Kosova nuk do të njohë vulat doganore të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe do të aplikojë masën e tarifës doganore prej dhjet për qind,  për mallrat nga këto vende.

“Qeveria inkurajon dhe do të mbështes Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në zbatimin e  këtij vendimi”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

 
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka marrë mbështetjen e plotë të kabinetit qeveritar për vendimit për zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Kusari-Lila ka njoftuar Qeverinë me vendimin që ka marrë pas dështimit të raundit të gjashtë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se ky vendim është marrë duke u mbështetur në nenin 93, 119 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 4 të Ligjit për administratën shtetërore të Republikës së Kosovës dhe nenin 8 të Rregullores për fushat dhe përgjegjësitë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive.

“Për mallrat e Republikës së Serbisë, nuk njihet vulat doganore dhe vulat tjera administrative të të gjitha produkteve të Republikës së Serbisë. Ndalohet importi i të gjitha mallrave të përcjella me dokumente që përmbajnë këto vula. Gjegjësisht ndalohet hyrja e këtyre mallrave në territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa nuk njihen vulat doganore të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës konform marrëveshjes për tregti të lirë dhe vendoset taksë doganore në 10 për qind në mallrat e përcjella me dokumentet që përmbajnë këtë vulë”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka thënë se nuk ka vend për shqetësim për mungesë të mallrave, ngase sipas saj, qysh tani kanë shprehur interesim për bashkëpunim dhe furnizim me ato mallra nga Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia e madje edhe nga Turqia.

Ajo ka thënë se është Serbia ajo që duhet të shqetësohet që e ka humbur një treg të tërë siç është Republika e Kosovës.

Me këtë vendim nuk do të njihen vulat doganore dhe të administratës tatimore të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Po ashtu ndalohen të gjitha produktet serbe dhe importimi i mallrave që kanë këto vula. Ndërsa me Bosnjën sipas këtij vendimi do të aplikohet taksa doganore prej 10 % ashtu si e aplikon ky shtet për mallrat e Kosovë.

Doganat e Kosovës obligohen që menjëherë të nisin zbatimin e këtij vendimi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)