07 Maj 2025

Prodhimet ta mbajn mbishkrimin "Made in Kosovo & Albania"

Prishtinë, 31 gusht - Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani me bashkëpunëtorë sot është takuar me anëtarët e komunitetit të biznesit të përfaqësuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Me këtë rast Kryetari i OEK-ut, Safet Gerxhaliu ka thënë së vendimi i presidentit Nishani që vizitën e tij të parë ndërkombëtare ta bejë në Kosovë dëshmon fuqimisht se Kosova do të jetë një nga prioritetet madhore të Shqipërisë gjatë presidencës së tij. 

Nga ana tjetër, Kosova sipas tij Shqipërinë e çmon si vëllaun më të madh, si krahun e vet të djathtë në arenën ndërkombëtare, si lobuesin i cili e shfrytëzon cdo rast për të ngritur zërin për Kosovën e pavarur.

Marrëdhënie të shkëlqyera mes Kosovës dhe Tiranës janë bërë tashmë një konstant politike në Prishtinë dhe Tiranë, një nocion që nuk do të ndryshoj me kalimin e kohës.

Marrëdhënie të tilla sipas Gerxhaliut imponojnë edhe zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ne mes të dy vendeve që do të mbështeten në gërshetimin e interesave reciproke, ku asnjëra palë nuk do të jetë humbse por të dyja palët do të jenë fituese.

"Ka ardhur koha që bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë të ridefinohet në radhë të parë përmes shëndërimit të tij në shtyllë kryesore e marrëdhënieve të përgjithshme në mes të dy shteteve vëllazërore në shekullin e ri. Sepse, të qenit një komb dhe një korpus i njëjtë nacional  reflektonte ndryshe në shekullin e kaluar nga shekulli i 21", është shprehur Gerxhaliu. 

Shekulli i 21 është shekulli i ekonomisë së tregut, teknologjive të reja, zhvillimit të energjive të pastra, mbrojtjes së natyrës.

Shënimi i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë mund të shërbej si një shtytje si një motiv i madh për një fillim të ri në marrëdhëniet tona ekonomike.

Gerxhaliu ka shtuar me tutje se Kosova dhe Shqipëria i kanë predispozitat ideale për të krijuar modelin e ri të bashkëpunimit ekonomik ku këmbimi i thjesht dhe modest tregtar (që për një vit kap shumën modeste prej 65 milion eurosh në të dy drejtime) të  zëvendësohet me një bashkëpunim të strukturuar dhe komplementar, dobiprurës për të dyja palët. 

Ka ardhur koha që sipas tij ekonomia tani t’i jap ritëm e të përcaktoj kualitet, të ndikoj në mënyrë të rëndësishme në imazhin e veçantë të marrëdhënieve tona të përgjithshme.

Oda Ekonomike e Kosovës i ka propozuar odës simotër në Tiranë krijimin e strategjisë apo platformës së përbashkët për ngritjen dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë për një afat të mesëm dhe të gjatë, me të cilin do të paraqitemi pranë qeverive dhe parlamenteve tona respektive. 

Ai ka theksuar se Kosova ka interes që në një strategji të tillë të inkuadrojë së pari vendosjen e parimit të barazisë mes bizneseve, pra qasjen e papenguar e tyre nga një në vendin tjetër që do të thotë heqjen e pengesave administrative që favorizojnë njërin dhe e dekurajojnë biznesin tjetër. 

"Në këtë mënyrë do të krijohen kushte për bashkërenditjen e dy ekonomive komplementare duke u mundësuar plane të përbashkëta biznesi dhe prodhimi për paraqitje të përbashkët në tregun rajonal. Përse në tregun ndërkombëtar nuk do të mund të paraqiteshim për shembull me prodhimet që do ta mbanin mbishkrimin "Made in Kosovo & Albania"."

"Ka ardhur koha tani që ekonomitë komplementare të të dy vendeve tona të njihen dhe përputhen mes vete, që secila prej tyre të gjejë interesin e mirëfilltë në anën tjetër të kufirit, që të dyja të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të ndihmojnë njëra tjetrën në depërtimin në tregun e jashtëm dhe pozicionimin e ri strategjik në rajon", ka nënvizuar në fund Gerxhaliu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)