Policia në bashkëpunim me Doganën konfiskon 25 vetura të padoganuara

Prishtinë, 25 maj - Policia e Kosovës, konkretisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor, ka hartuar planin operativ \"Veturat e padoganuara\". 
Plani ka filluar të zbatohet më 21 maj 2017 nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Prishtinë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës. Realizimi i planit është duke vazhduar. 
Plani ka qëllim identifikimin, ndalimin dhe largimin nga komunikacioni të veturave të cilat qarkullojnë të padoganuara. 
Mjetet në fjalë nuk u nënshtrohen rregullave teknike dhe atyre procedurale, janë të pasiguruara dhe u shmangen të gjitha taksave të parapara ligjore. 
Gjithashtu, këto mjete jo rrallë herë janë pjesëmarrëse në aksidente të trafikut rrugor me çka rrezikohet siguria e pjesëmarrësve në trafik. 
Me datën 21.05.2017 në rajonin e Prishtinës, janë identifikuar dhe konfiskuar gjithsej 21 vetura të padoganuara të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugor. 
 Policia e Kosovës kërkon nga ngasësit e veturave të padoganuara që të mos dalin me vetura të tilla në trafik, pasi veturat e tilla do të ndalohen dhe sekuestrohen. 















