12 Maj 2024

Mitrovicë, tregtarët ambulantë nuk lejohen të shesin në rrugë

Mitrovicë, 13 janar - Me qëllim të vendosjes së rregullit nëpër rrugët e qytetit, Drejtoria e Inspekcionit në Mitrovicë, ka disa javë që nuk është duke lejuar shitësit ambulantë të shesin në trotuare dhe rrugë.

Si rezultat është krijuar një pasqyrë më e mirë për qytetin si dhe është lehtësuar lëvizja për këmbësorë dhe automjete.
   
Drejtori i Inspekcionit, Lulzim Zeqiri, tha se inspektorët e tregut përditë janë në terren duke përcjellur situatën, në mënyrë që rregulli i vendosur të zbatohet.

“Është vendim që tregtarët ambulantë të largohen nga rruga. Ata vazhdimisht kanë penguar komunikacionin dhe nuk kanë zbatuar asnjë kriter për shitjen e produkteve ushqimore, si pemëve dhe perimeve”.

Theksoi se për të gjithë tregtarët ka hapësirë të mjaftueshme në tregun e qytetit. “Është një hapësirë shumë e mirë që ofron kushte adekuate për punë”, tha ai, duke sqaruar se atyre që tregtojnë në rrugë do t’u konfiskohet malli.

Në anën tjetër, Nexhat Dedia, koordinator i ndërmarrjes komunale “Tregu”, tha se kushtet që ofrohen për punë në tregun e qytetit janë shumë të mira.

“Në treg ka tezga të mjaftueshme, të cilat janë të mbuluara, mandej oborri është i rrethuar dhe i shtruar me kubëza. Në përgjithësi kushtet janë shumë të mira për punë”.

Tha se tash është rregulluar edhe objekti për shitjen e prodhimeve të qumështit. “Shitja e produkteve të qumështit është bërë jashtë çdo standardi. Tash kemi “Bulmetoren” e re, e cila është në dispozicion të tregtarëve”.

Dedia theksoi se pas masave që janë ndërmarrë nga inspektorati i komunës me asistimin e policisë gjendja ka nisur të normalizohet sa i përket tregtarëve ambulantë.

Ai tha se tregu ka nisur të shfrytëzohet më shumë dhe po krijohet një shprehi e mirë edhe prej tregtarëve, por edhe prej konsumatorëve.

Ai përmendi edhe projektin për rregullimin e mbulojës për gjithë tregun e qytetit. Tha se është një projekt i kushtueshëm, për çka presin ndihmë nga Komisioni Evropian, i cili edhe e ka financuar tërësisht rregullimin e tregut.

Ndër planet tjera, ceku edhe angazhimin për sistemin e shitësve të druve. Theksoi se është duke u punuar që të funksionalizohet “Tregu i kafshëve”, i cili është i gatshëm.

“Kjo do të ndihmonte shumë në vendosjen e rregullit nëpër rrugët e qytetit, ku tashmë shiten dru, thëngjill etj”.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)