Miratohet projekti për tregjet e qytetit të Prizrenit

Prishtinë, 7 prill - Në Ministrinë e Financave sot u mbajt takimi  i radhës i Komitetit për Partneritet Publiko Privat. 
Ministri i Financave Avdullah Hoti para anëtarëve tjerë të Komitetit theksoi se takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë për arsye se do të miratojmë projekt-propozimin nga Kuvendi Komunal i Prizrenit për Tregjet e Qytetit të Prizrenit. 
Kjo përkon edhe me Programin e Qeverisë në avancimin e Partneritetit  Publiko Privat si domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. 
Gjatë takimit Njësia për Partneritet Publiko Privat prezantoi Strategjinë e PPP-së dhe projekt-propozimin për PPP-në nga Kuvendi Komunal i Prizrenit për Tregjet e Qytetit të Prizrenit, ky projekt miratua nga Komiteti ndërministror i Partneritetit Publiko Privat. 
Përfaqësuesit e njësisë së PPP-së gjithashtu në këtë takim prezantuan edhe  projektet  të cilat janë duke u implementuar si dhe ato të cilat presin që në një të ardhme të afërt të implementohen duke u bazuar në Ligjin për PPP-në.
  















