10 Maj 2024

Marrëveshja për tregti të lirë me BE, mirëpritet nga bizneset

Prishtinë, 25 shkurt - Kosova gjatë këtij viti pritet të arrijë Marrëveshje për Tregti të Lirë me vendet e Bashkimit Evropian.

Zyrtarë të Qeverisë paralajmërojnë se gjatë muajve të ardhshëm pritet të vijë në Prishtinë një delegacion i Komisionit Evropian, i cili do të bëjë vlerësimin e kushteve për një marrëveshje të tillë. Kjo mirëpritet nga komuniteti i biznesit.
 
Marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian pritet të avancojnë gjatë këtij viti. Pas rikthimit të preferencave tregtare, sivjet pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja për tregti të lirë me BE-në.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi, thotë se për këtë çështje gjatë muajve të ardhshëm presin në vizitë një delegacion të Komisionit Evropian, përgjegjës për marrëdhëniet tregtare.

“Negociatat me BE-në ende nuk kanë filluar, mirëpo shpresojmë të fillojnë gjatë këtij viti. Në pranverë presim një delegacion të tregtisë nga Komisioni Evropian, të cilët do të bëjnë vlerësimin e tyre se a jemi gati të fillojmë negociatat për tregti të lirë. Ne jemi duke punuar me përkushtim të thellë lidhur me këtë punë, në mënyrë që t’ia dëshmojmë edhe BE-së se jemi gati të fillojmë negociatat”, thotë Istrefi.

Përfitimet nga marrëveshja e tregtisë së lirë do të jenë të mëdha, pasi fillimisht Kosova do të bëhet pjesë e një tregu prej 500 milionë banorësh, e njëkohësisht kjo do të jetë një hap përpara në procesin e anëtarësimit në BE, thotë Istrefi.

Marrëveshja për tregti të lirë me BE-në mirëpritet nga komuniteti i biznesit. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë se ajo do të ketë reflektime të mëdha në ekonomi.

“Marrëveshjet për tregti të lirë me BE-në janë të rëndësisë së veçantë për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe BE-së, pasi ne kemi një import dhe partnerin numër një nga Bashkimi Evropian që kap vlerën prej 1 miliard eurosh. Besoj që BE-ja do të përmirësojë qasjen ndaj ekonomisë kosovare”, theksoi Shahini.

Ndryshe, prej 1 janarit të këtij viti, BE-ja ka rikthyer preferencat tregtare ndaj Kosovës, duke krijuar lehtësira për eksportuesit vendorë.

Kurse përmes marrëveshjes për tregti të lirë, Kosova do të lirohet nga taksat për tregun e të mirave materiale duke përfshirë tarifat doganore, lirim nga taksat për shërbime ose barriera tjera tregtare, pastaj do të ketë qasje në informatat e tregut, pamundësi për të krijuar fuqi të monopolistit e përfitime tjera.

/RTK/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)