29 Prill 2024

Kosova palë e barabartë, e vërtetoi reciprociteti

Prishtinë, 19 gusht - Kosova ka humbur deri në kohën kur si ka aplikuar masat e reciprocitetit, ka deklaruar ministrja e Tregtisë e Industrisë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila.

Ajo thekson se raportet ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë janë raporte ndërmjet dy shteteve të pavarura që synojnë integrimin në familjen evropiane dhe se edhe dialogu teknik, por edhe masat e reciprocitetit, e kanë vërtetuar se Kosova është palë e barabartë. “Për më tepër Kosova ka vërtetuar që si parim udhëheqës në raportin ndërshtetëror ka parimin e konstruktivitetit dhe perspektives evropiane”, thekson ajo në një intervistë për (ATSH).

Ministrja e Tregtisë thekson përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me dialog. “Në këtë frymë ne shpresojmë që edhe çështja e vulave doganore do të zgjidhet, gjithmonë në frymen e të mirës reciproke të të dyja vendeve”.
Kusari Lila vlerëson se masat e reciprocitetit, me të cilat synohet edhe që të përforcohet ekonomia e vendit, përgjithësisht kanë reflektuar pozitivisht në Kosovë dhe konstaton se ka shtim të sasisë së produkteve vendore dhe atyre të importuara nga shtetet e rajonit si: Shqipëria, Maqedonia, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Turqia, me tendencë të zëvendësimit të produkteve me origjinë nga Serbia.
Raportet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë Kusari Lila i vlerëson se janë të kënaqshme edhe pse ekziston mundësia që niveli i bashkëpunimit të ishte më intensiv, sidomos sa i përket shkëmbimeve tregtare.


Duke bërë bilancin gati një mujor nga vendimi i qeverisë së Kosovës për vendosjen e parimit të reciprocitetit në shkëmbimin tregtar me Serbinë e Bosnje e Hercegovinën, Lila thekson se \"në radhë të parë i është dhënë një shtysë e madhe prodhuesve kosovarë, pasi sipas të dhënave të fundit, ata kanë rritur kapacitetet e tyre prodhuese. Edhe vetëdijësimi i masës së gjërë, gjë që ka reflektuar me refuzim të produkteve serbe si dhe mundësinë e zëvendësimit të tyre me ato vendore është një hap shumë i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Ndërsa sa i përket marrjes nën kontroll të dy pikave kufitare 1 dhe 31, ky veprim ka qenë më se i nevojshëm se vetëm në këtë mënyrë mund ta konsideronim si të plotë vendimin e reciprocitetit, ku siç e dini kalimi i mallrave nga këto pika para 25 korrikut ka qenë jashtë kontrollit të Qeverisë së Kosovës\".


Lila sqaroi se vendosja e parimit të reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare nuk duhet të konsiderohet si embargo e mallrave serbe, por masë e reciprocitetit ndaj veprimeve të njëjta që Serbia ka ndërmarrë gati 3 vjet më parë. Ajo tha se të përjashtuara janë donacionet si dhe mallrat për konsum familjar, pra mallrat që nuk janë të destinuara për tregtim.


Në përgjigje të pyetjes nëse nga zbatimi i parimit të reciprocitetit ka rritje çmimesh, ose mungesë mallrash, Mimoza Kusari Lila tha se përgjithësisht këto masa kanë reflektuar pozitivisht dhe po ashtu në treg edhe pse ka vërejtje për rritje të vogla të çmimeve, të cilat mund të vinë si kepërdorim i situatës nga ana e tregtarëve. Por në lidhje me këtë fenomen Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndërmarrë një plan për mbikëqyrjen e tregut pas vendosjes së masave të reciprocitetit, ku do të kontrollohen të gjitha subjektet afariste dhe sipas inspektimeve të para nuk është vrejtur ndonjë çrregullim në aspektin e furnizimit të tregut, apo mungesë të produkteve për konsum të përgjithshëm.


Duke folur për shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri dhe të ardhmen e tyre, zv/kryeministrja kosovare tha se raportet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të kënaqshme edhe pse ekziston mundësia që niveli i bashkëpunimit të ishte më intensiv, sidomos sa i përket shkëmbimeve tregtare. \"Por pas vizitës time në Shqipëri gjatë muajit qershor, ku u takova edhe me Kryeministrin Sali Berisha, pengesat tregtare, siç ishte vënia e çmimeve referente për mallrat kosovare është hequr, gjë që hap rrugën për një integrim të plotë ekonomik në mes të dy shteteve\", tha Lila.