03 Maj 2024

Kompania 3CIS shpallet eksportuesi i vitit 2011

Prishtinë, 21 dhjetor - Agjencia për Promovimin e Investimeve (APIK) që vepron në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Shoqatën Kosovare për Eksport (SHKE), kanë bërë sot përzgjedhjen e “Eksportuesit të vitit 2011”.

Kompania që ofron shërbime për teknologji, 3CIS me seli në Prishtinë fitoi çmimin kryesor për këtë vit.

Përveç këtij çmimi, sot APIK bashkë me SHKE kanë bërë përzgjedhjen e kompanive më të mëdha eksportuese në kategori të ndryshme, ku në sektorin e korporatave si eksportues më i suksesshëm këtë vit është shpallur ndërmarrja “Trepca”, ndërsa eksportuesi i vitit për ndërmarrja të mëdha ishte “Birra Peja”.

Për ndërmarrje të mesme fitues i këtij viti ishte Frutex-i nga Theranda, kurse për ndërmarrje të vogla eksportues më i mirë ishte kompania përpunuesi i metaleve Zinkunie nga Prizreni.

Kompania e përpunimit të ushqimit nga Gjilani ASK FOODS fitoj çmimin për kreativitet në dizajnim të ambalazhit të prodhimeve që i eksporton, ndërsa kompania 3CIS përveç çmimit kryesor u shpall fituese për shërbimet profesionale.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari – Lila tha “ne jemi duke punuar që bilanci negativ tregtar të ndryshojë.  Përmes eliminimit të disa barrierave po ju mundësojmë bizneseve dhe prodhuesve kosovarë lehtësimin e të bërit biznes."

"Kemi përmirësuar marrëdhëniet tona tregtare me Shqipërinë dhe me Maqedoninë dhe jemi duke punuar vazhdimisht në përmirësimin e marrëdhënieve tona tregtare me vendet e rajonit por edhe me vendet e BE-së”.

Përveç ministres Kusari – Lila të pranishëm ishin edhe zv.Kryeministri Behxhet Pacolli, Ministri për Zhvillim Ekonomik Besim Beqaj si dhe një numër i madh i bizneseve kosovare.

Të gjitha kompanitë e përzgjedhura sot kanë mundësi të përdorin këtë çmim në prezantimin vizual të produkteve të tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)