03 Maj 2024

Kina fillon investime në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik

Minsk, 29 korrik - Njëzet vite pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kina është rivale e Rusisë si një nga invesitorët dhe partnerët më të mëdhenj tregtarë në shumë nga ish-republikat sovjetike.

 

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhejms Bruks njofton nga kryeqyteti i Bjellorusisë, Minsk.

Bjellorusisë po i mbarojnë paratë. Ndërsa shtohen faturat e papaguara të energjisë elektrike, Kremlini i ndërpret energjinë elektrike. Televizioni shtetëror i Rusisë transmeton kritika të ashpra, duke e quajtur Bjellorusinë një vend diktatorial.

Strategjia e Moskës është e qartë, rritja e trysnisë ndaj Minskut në mënyrë që ata t’i shesin Rusisë kompanitë shtetërore me çmime të ulëta. Moska dëshiron të blejë kompaninë Belaruskali e cila është prodhuesi më i madh në botë i potasit. Nëse Moska e ble këtë kompani, Rusia do të kontrollonte gjysmën e prodhimeve të plehërave kimike në një kohë të rëndësishme në të cilën bota po përballet me mungesa ushqimore.

Por një palë e papritur ka hyrë në lojë, Minsku tani është në bisedime për t’i shitur një pjesë të Belaruskalit kompanive shtetërore nga Kina.

Në kërkim të lëndëve të para,  Kina gjithnjë e më shumë po futet në tregun e ish-Bashkimit Sovjetik, një rajon i cili për një kohë të gjatë është cilësuar si burim privat i Moskës.
Analisti politik i çështjeve ruse Konstantin von Eggert thotë se Kremlini është duke u treguar i kujdesshëm për të mos folur kundër ndërhyrjeve ekonomike të kinezëve në Bjellorusi, e cila dikur konsiderohej model i republikave sovjetike.

“Rusët nuk janë shumë të kënaqur me ndërhyrjen kineze, por në të njëjtën kohë ata kanë mbajtur gojën mbyllur, sepse nuk mund të bëjnë asgjë për këtë. Rusia po e humbet ndikimin e saj në ish-republikat sovjetike”.

Eksperti i ministrisë bjelloruse të Punëve të Jashtme për Azinë, Leonid Batyanovsky thotë se Minsku nuk po e përdor Kinën kundër Rusisë.

“Zhvillimi i marrëdhënieve me Kinën nuk nënkupton kundërshtim ndaj dikujt tjetër”.

Bjellorusia merr pak investime amerikane apo evropiane, kryesisht për shkak se investitorët ndjehen të pasigurt për shkak të të drejtave të pronave në këtë vend që po kontrollohet nga një njeri në 17 vitet e fundit. Por Kina vitin e kaluar ka dhënë  1 miliard dollarë kredi Bjellorusisë për realizimin një numëri projektesh.

“Bëhet fjalë për rindërtimin e rrugëve, furnizimin e hekurudhave me energji elektrike, projektet e pasurive të patundshme në Minsk dhe për krijimin e parkut industrial Bjellorusi-Kinë”.

Bjellorusia është një nga pistat e fundit të investimeve kineze në 14 ish-republikat sovjetike të cilat dikur ishin koloni ekonomike e Rusisë.

Duke marrë parasysh lëvizjen e sasive të mëdha të naftës dhe gazit drejt lindjes,  Kina po zëvendëson Rusinë si burimi më i madh i tregtisë dhe investimeve në të pesë ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore.

Kthimi nga Kina i këtyre vendeve është aq i shpejtë sa që udhëheqësit e Azisë Qendrore kanë ngritur shqetësime rreth mundësisë nxitjes së ndjenjave ani-kineze.
Por analisti rus, Von Eggert nuk parashikon se Rusia do t’i shfrytëzojë për interes të saj ndjenjat anti-kineze.

“Rusia nuk ka fuqi të mjaftueshme politike, ekonomike, apo ushtarake, për t’u përballur me këtë inkursion kinez në këtë zonë që dikur presidenti Medvedev e ka quajtur‘zonë e interesave të privilegjuara të Rusisë’. Kjo është edhe një shenjë e rënies së Rusisë perandorake”.

Ndërkohë në Minsk, planifikuesit e qytetit janë duke hartuar projektin për ndërtimin e një lagjeje kineze të quajtur “kitai gorod” ose Chinatown.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)