28 Prill 2024

Hoxhaj prezanton mundësitë për investime japoneze në Kosovë

Tokio, 6 dhjetor - Në ditën e dytë të vizitës në Japoni, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vazhduar takimet me personalitete të larta shtetërore, deputetë, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile japoneze.

Para shumë personaliteteve, profesorëve dhe studentëve, Ministri Enver Hoxhaj, po ashtu, ka mbajtur një Ligjëratë në Institutin për Marrëdhënie me Jashtë të Japonisë.

Ndërkaq, gjatë një takimi që ka zhvilluar me Këshillin Ndërkombëtarë të Shkëmbimit të Miqësisë të Japonisë (FEC), duke iu drejtuar shumë ambasadorëve, deputetëve dhe anëtarëve të këtij Këshilli, Ministri Hoxhaj ka iniciuar idenë për krijimin e grupit të miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

Presidenti i FEC-it, Ken Matsuzawa dhe Ministri Hoxhaj po ashtu janë pajtuar që në vitin tjetër, në Tokio të bëhet një prezantim i veçantë i shtetit të Kosovës, ku do të promovohen mundësitë për investime të fuqishme japoneze në Kosovë.

Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka vlerësuar se FEC do të jetë koordinatori më i mirë i bashkëpunimit mes popullit të Kosovës dhe të Japonisë.

“Japonia do të investoj në Kosovë. Para se të ndodh kjo, ne do të organizojmë në Tokio një prezantim të shtetit të Kosovës, të mundësive, infrastrukturës që ofron Kosova për investime të jashtme. Po ashtu do të organizohet edhe një forum ekonomik. Ka interes që të investohet në fushën e Arsimit, Shëndetësisë, Teknologjisë, Ambientit dhe Agrikulturës”, ka theksuar Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu ka thënë se FEC do të shërbej si urë lidhëse mes Qeverisë së Kosovës dhe investitorëve japonezë.

Ndërsa, gjatë ligjëratës në Institutin për Marrëdhënie me Jashtë të Japonisë, Ministri Hoxhaj, ka prezantuar progresin e gjithanshëm që po shënohet në Republikën e Kosovës në të gjitha fushat, me theks të veçantë në procesin e forcimit të vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit.

“Unë udhëtoj çdo ditë, vizitoj shumë shtete për të kërkuar njohje dhe për të thelluar bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me shtetet tjera. Në çdo shtet që vizitoj, takoj shumë ministra, diplomatë dhe qytetarë të vendeve të ndryshme, për t’iu treguar që vendi im, Kosova, është shtet, që ne ekzistojmë, që Kosova mirëpret investitorët e jashtëm”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj, gjatë ligjëratës.

Ministri i Jashtëm tha se brenda tre vjetëve, Republika e Kosovës, ka ndërtuar një shtet nga themelet, ka bërë shumë reforma të rëndësishme, kurse tani, siç tha Hoxhaj, Kosova si shtet, si ekonomi dhe shoqëri është duke u bërë gati për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.

“Jemi vend i vogël, por jemi shumë të pasur me pasuri nëntokësore. Energjia, Telekomunikimi, Agrikultura, Turizmi, Ambienti dhe Arsimi, janë disa segmente ku investitorët japonezë kanë mundësi të mëdha për të investuar”, tha Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka theksuar raportet e veçanta që Kosova ka me Japoninë, duke shprehur mirënjohjen dhe vullnetin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për të avancuar edhe më shumë lidhjet dhe shkëmbimet direkte mes dy popujve, institucioneve, shoqërive civile dhe komuniteteve kulturore të të dyja vendeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)