31 Mars 2023

Graçanicë, projekt për ndërtimin e një Qendre Tregtare

Prishtinë, 23 prill - Sot, në Komunën e Graçanicës u firmos Marrëveshja e Bashkëpunimit për implementimin e një  projekti madhor, në mes të Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrë të Kryeministrit, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, dhe Komunës së Graçanicës. Marrëveshja trepalëshe u nënshkrua nga këshilltari i lartë i Kryeministrit, njëherit edhe drejtori i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, Srdjan Sentic, ministri për Komunitete dhe Kthim Sasa Rasic dhe  kryetari i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanovic.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, për ta mbështetur këtë iniciativë, ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Raif Elezi. Marrëveshja parashikon bashkëpunimin specifik ndërmjet institucioneve të  Qeverisë së Kosovës për financimin e projektit në kuadër të planit të ashtuquajtur “Iniciativa për Zhvillimin e Komunitetit”. Kjo iniciativë është vazhdimësi e angazhimeve të institucioneve të Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e veprimtarive të komunave të reja.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Komuna e Graçanicës, si pjesë e iniciativës, do të ndërtojë një Qendër Tregtare dykatëshe, në hapësirë prej 1000 m2, e cila pritet të përfundohet deri në fund të këtij viti. Kosto totale e këtij projekti është rreth 450 mijë euro. Ndërsa, sa i përket kontributeve të palëve në financimin e projektit, Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit konform marrëveshjes së projektit do të financojë  150 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër financohet nga Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe nga Komuna e Graçanicës.

Kjo iniciativë është vazhdimësi e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërinstitucional, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fushave prioritare të zhvillimit ekonomik dhe social. Ky projekt do të ndihmojë edhe në përmirësimin e nivelit të papunësisë për qytetarët që jetojnë në këtë komunë. Fuqizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qeveritare në nivel qendror dhe lokal, konsiderohet si një faktor i rëndësishëm në stabilizimin e komunave të reja, si institucione të krijuara në tërësinë e procesit të decentralizimit.

Sentic theksoi se Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrë të Kryeministrit është e përkushtuar të përkrah edhe më tutje projektet prioritare në çështjen e zgjidhjes së problemeve sociale dhe krijimin e kushteve për një jetë normale të banorëve të kësaj komune, dhe komunave tjera të reja të krijuara nga procesi i decentralizimit.

Ai  gjithashtu theksoi se me një bashkëpunim ndërinstitucional të shkëlqyeshëm duke realizuar projekte të këtilla dhe ato të ndërtimit të shkollave, shtëpive, rrugëve dhe kanalizimeve, ne çojmë në stabilizimin e gjendjes sociale të të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Graçanicës, Stojanovic duke falënderuar qeverinë për mbështetjen e vazhdueshme, tha se ky ritëm bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 mars 2023 - Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Burimit, Komuna e Malishevës organizon akademi përkujtimore. (Salla e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë me ç’rast do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, si dhe në bazë të këtyre gjetjeve do të ndahet “Çmimi për Gjykatën më Transparente” - për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Kryetari I Federatës Sindikale te Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me protestën dhe grevën e punëtorëve teknik të këtij spitali që veq ka filluar para dy ditësh. (Spitali Isa Grezda në Gjakovë, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. (Kompleksi i Martirëve, Pastasel, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bën homazhe në varrezat e martirëve në fshatin Dragobil dhe të Kompleksi në vendin e ngjarjes Vrella e Mëhillit. (Fshati Burim, ora 12:00)

- Komuna e Prishtinës përuron hapësirën e dedikuar për sigurinë e nxënësve dhe komunitetin në hapësirat përreth Shkollës Fillore “Elena Gjika”. (Afër shkollës, ora 13:00)

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon Asamblenë e Punës për vitin 2022. (Hotel Emerald, ora 17:00)