04 Maj 2024

FMN: Kosova ka shmangur çrregullimet serioze të krizës

Prishtinë, 14 nëntor - Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) përmes një njoftimi që është postuar në web faqen e FMN-së ka njoftuar se, ekonomia e Kosovës është parashikuar të rritet me 5 për qind gjatë këtij viti.

FMN thotë së për arsye të qasjes së kufizuar në tregjet financiare botërore, Kosova ka shmangur çrregullimet serioze të krizës që po e dridh eurozonën.

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i drejtuar nga Johannes Wiegand, pati diskutime me autoritetet Kosovare në datat 2-11 nëntor 2011, si pjesë e vlerësimit të parë të Programit të monitoruar nga stafi (PMS) për Kosovën.

PMS vazhdon deri në fund të vitit, dhe politikat që janë pjesë e këtij programi synojnë marrjen e hapave të vendosur drejt qëndrueshmërisë fiskale, dhe menaxhimit e ekzekutimit më të mirë të buxhetit.

Implementimi i suksesshëm sipas FMN-se do të ndihmonte në krijimin e një historiku të menaxhimit të shëndoshë fiskal që do të mund të hapë rrugën për asistencë financiare nga FMN në vitin 2012 dhe do të mundësojë vazhdimin e përkrahjes nga donatorët.

Misioni i FMN-së ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me një mision paralel nga Banka Botërore, të zhvilluar në kontekst të operacioneve të parashikuara të saj për mbështetje buxhetore.

Mes tjerash në komunikatën e FMN-së thuhet se misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i udhëhequr nga Johannes Wiegand, nga diskutimet e mbajtura me autoritetet kosovare nga data 2 deri më 11 nëntor ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka bërë hapa vendimtar drejt qëndrueshmërisë fiskale në menaxhimin më të fortë dhe ekzekutimin e buxhetit.

Në përmbyllje të vizitës, Wiegand bëri ka deklaruar se politikat makroekonomike dhe financiare janë gjerësisht në rrugë të duhur.

Kriteret kuantitative për fundin e muajit shtator lidhur me bilancin bankar të qeverisë së përgjithshme, bilancin primar, shpenzimet primare, mos-akumulimin e borxheve të jashtme, dhe mos-kontraktimin e borxhit jo koncesional, sipas tij janë plotësuar të gjitha, sikur edhe kriteri strukturor për zhvillim të strategjisë së përmbushjes tatimore.

Kriteri kuantitativ për mos-akumulim të detyrimeve të pashlyera të brendshme nuk është plotësuar për një shumë të vogël, megjithatë siç ka thçnç Wiegand janë në zhvillim e sipër reformat për forcim të kapaciteteve të qeverisë për monitorim të faturave të vonuara dhe për parandalim të akumulimit të detyrimeve të pashlyera.

Edhe shkurtimet e shpenzimeve në masën prej 60 milionë euro janë implementuar si përgjigje ndaj vonesës në privatizimin e kompanisë së telekomunikacionit PTK, me qëllim të ruajtjes së bilancit bankar minimal të qeverisë deri në fund të vitit 2011.

"Janë të nevojshme rishikimet në ligjin që rregullon beneficionet për kategoritë e luftës para dorëzimit të tij në Kuvend për lexim të dytë, për të siguruar përputhjen e tij me qëndrueshmërinë fiskale afatmesme dhe për ta sjellë ligjin në linjë me përkushtimin e autoriteteve si pjesë e Letrës së Qëllimit për Programin e monitoruar nga stafi”, ka deklaruar ai.

Reformat në sektorin financiar sipas tij po ecin përpara. "Qeveria dhe Banka Qendrore kanë nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit që rregullon rolet dhe përgjegjësitë në sigurimin e asistencës emergjente për likuiditet për bankat, nëse ka nevojë, dhe buxheti i vitit 2012 do të përmbajë një nen për depozitimin e fondeve në një llogari të Bankës Qendrore, të rezervuar për asistencën emergjente për likuiditet. Progres i mirë është arritur në rishikimin e ligjit për bankat dhe mikrofinancat.” 

Ai ka theksuar se Kosova ka mbetur kryesisht e pandikuar nga turbulencat financiare në euro zonë, në sajë të integrimit të limituar në tregjet financiare globale.

Ekonomia sipas tij është projektuar të rritet për 5 për qind në terme reale këtë vit. Inflacioni po zbutet me shpejtësi në linjë me zhvillimet në tregjet globale të mallrave.

"Sistemi bankar ka mbetur stabil, me likuiditet të shëndoshë dhe me rezerva të mjaftueshme të kapitalit. Duke shkuar përpara, rënia e përsëritur në euro zonë mund të ndikojë negativisht në remitencat dhe në investimet e huaja direkte. Si rezultat, misioni ka zvogëluar projeksionin për rritjen e GDP-së reale për vitin 2012 në 4 për qind.”

”Stafi dhe autoritetet kanë arritur mirëkuptim për një buxhet të vitit 2012 që synon një deficit primar të qeverisë së përgjithshme prej 3.2 për qind të GDP-së dhe përmban ¾ e përqindjes së GDP-së si përshtatje strukturore, përmes një kombinimi të kontrollit të pagave, reformave në sektorin e energjisë që zvogëlojnë nevojën për mbështetje nga buxheti, dhe reformave tatimore. Në rast se nuk arrihet progres i qartë drejt privatizimit të PTK-së në muajt e parë të vitit 2012, mund të nevojitet ndërmarrja e masave shtesë për të siguruar që qeveria ka rezervat adekuate të parasë së gatshme gjatë vitit.”

Në lidhje me deklaratën zyrtare të Wiegand,  Ministri i Financave, Bedri Hamza ka deklaruar se  “Deklarata e lëshuar  nga Misioni i FMN-së, është një konfirmim i asaj çfarë ne si Ministri e Financave kemi deklaruar vazhdimisht që programi  me FMN është në rrugë të mbarë dhe se ne kemi përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara me këtë program për tremujorin e parë dhe poashtu jemi duke implementuar politikat për finalizim të këtij programi deri në Dhjetor 2011.

Andaj sipas tij si të tillë këtë komunikatë  të lëshuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e shohim si vlerësim real të situatës aktuale makroekonomike, që  "dëshmon përkushtimin  tonë të vazhdueshëm drejt implementimit të kësaj marrëveshje si dhe  krijimit të parakushteve për nënshkrimin e  marrëveshjes së re me këtë institucion".

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)