03 Maj 2024

Blerësit e huaj përmirësojnë tregun e shtëpive në SHBA

Miami, 17 tetor - Rritja e shpejtë ekonomike dikur i dha Miami-t pseudonimin “qyteti magjik”. Tani, pas disa vitesh të vështira për shkak të krizës financiare, ajo magji po vepron mbi tregun e pasurive të patundshme.

Shitjet e shtëpive në Miami janë rritur me 50 përqind këtë vit, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara në përgjithësi ato kanë qëndruar pothuajse të pandryshuara.

Kur ekonomia ngeci pak vite më parë, pati një moment kur tregu i apartamenteve u gjend në vështirësi. Por me rënien e çmimeve, gjërat kanë ndryshuar.

Njerëzit thonin: “Shiko gjithë këto shtëpi bosh në Miami”. Mirëpo, ato shtëpi tani janë të gjitha me njerëz”, thotë Oliver Ruiz, operator administrues i firmës “Fortune International Realty”. Ai thotë se tregu në Miami po përmirësohet me shpejtësi, me në krye blerësit e huaj.

Rafael Gonzales thotë se në Aikon Brikëll shitjet e firmës së tij u rritën ndjeshëm kur ata morën pronën në dorëzim, pasi kreditorët kishin konfiskuar kompleksin dhe ulur çmimet. Klientët e huaj blenë më tepër.

“Ne kemi blerës nga e gjithë bota. Ata janë nga Brazili, Argjentina, Venezuela, Italia dhe vende të tjera...”

Investitori kolumbian Jaime Mejia pagoi më tepër se një milion dollarë për dy apartamente në Aikon.

“Miami është një portë për në Amerikën e Jugut. Na tërheq ne amerikano-latinët në një mënyrë që u mungon pjesëve të tjera të vendit.”

Dollari i dobët është një tjetër arsye joshëse për të huajt. Operatorët e tregut të shtëpive thonë se 90 përqind e shitjeve në qendër të qytetit janë nga blerës të huaj, shumica e të cilëve paguajnë me para në dorë.

Por tregu i shtëpive në Floridën e jugut nuk karakterizohet vetëm nga shitjet e larta. Andrea Heuson jep leksione mbi financat e tregut të pasurive të patundshme në Universitetin e Miami-t.

“Disa zona pëlqehen mjaft, por ka edhe zona të tjera, jashtë qytetit, ku shitjet kanë rënë dhe të cilave do t’u duhen vite për t’u rimëkëmbur, nëse do të rimëkëmben ndonjëherë.”

“Kjo pronë me vlerë 100 deri 110 mijë dollarë në Bregun Pompano  ka kaluar në pronësinë e bankës dhe, siç e shihni, ka nevojë për punime.”

Agjenti imobiliar David Dweck e konsideron Bregun Pompano, rreth 45 minuta larg nga Miami, si zonën  e Floridës së Jugut më tepër të prekur nga kriza e tregut të shtëpive, por ai thotë se momenti më i vështirë tashmë ka kaluar.

“Investitorët, padyshim, janë duke e përmirësuar tregun, prandaj blerësit me para në dorë po vijnë për të blerë prona si kjo. Ata bëjnë punime dhe më pas ose i vënë pronat sërish në shitje, ose i japin me qera.”

Zoti Dweck thotë se shtëpitë e sekuestruara po tërheqin vëmendjen e investitorëve, por ato nuk mund të krahasohen me zonën më të pëlqyer të qendrës së qytetit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)