10 Maj 2024

Biznesi italian shikon mundësinë të investojë në Shqipëri

Tiranë, 26 shkurt - Prej kohësh guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka deklaruar se, kriza në ekonomitë e ndryshme të botës mund të japë efekte pozitive për Shqipërinë, parë në këndvështrimin e sipërmarrjes private.

Dy fqinjët dhe partnerët tanë më të ngushtë tregtarë, Italia dhe Greqia, ndodhen në situatë të vështirë ekonomike dhe për të dalë nga kriza, qeveritë përkatëse kanë marrë një sërë masash, ndër to edhe rritjen e disa taksave.

Në këto kushte, shumë investitorë të këtyre vendeve po shikojnë mundësinë të zhvendosin kapitalet në vendet më atraktive sa i takon taksave dhe kostos së ulët të punës.

Grekët kanë nisur me kohë të vijnë në Shqipëri dhe tashmë janë italianët që kanë nisur takimet në nivel institucional.

Mësohet se mbi 25 përfaqësues të biznesit italian të zonës së Venetos, prej dy ditësh vizituan Shqipërinë, ku nën shoqërinë dhe asistencën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Qarku i Tiranës, panë nga afër sektorët ku mund të investojnë.

“Shqipëria zë vendin e parë në shkëmbimet tregtare me Italinë”, - thotë Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës, ndërsa shton se, “emigrantët shqiptarë që prej vitesh janë zhvendosur në Itali, po kthehen në Shqipëri në krah të investitorëve të këtij vendi, duke qenë kështu jo vetëm orientues, por konkurrentë të drejtë për tregun tonë”.

Bizneset e vendit fqinj zhvilluan takime të drejtpërdrejta me subjektet shqiptare, ku në fokus ishin sektorët e ndërtimit, energjisë së rinovueshme, elektronikës, mjedisit, mobilierisë etj.

“Ekzistojnë resurse të mëdha natyrore për të investuar në vendin tonë në shumë sektorë si: energjetikë, transport, turizëm, burime nëntokësore dhe mbitokësore”, - ju drejtua Jaka investitorëve italianë, duke i ftuar ata të jenë konkretë në investimet e tyre në vendin tonë.

Në këtë kuadër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është e gatshme të ofrojë të gjithë infrastrukturën e duhur për t’ju mundësuar sipërmarrësve të këtij vendi të orientohen si duhet në tregun tonë, pasi sipas kryetarit të Dhomës, “është institucioni që i ka të gjitha kapacitetet për të qenë lobues dhe orientues për biznesin, qoftë kjo në terren, qoftë në nivel lokal apo qendror”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)