28 Prill 2024

Bizneset italiane kthejnë sytë kah Kosova

Prishtinë, 30 nëntor - Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Agjencisë për Promovim të Investimeve (APIK) dhe Institutit Kombëtar Italian të Tregtisë dhe Investimeve (ICE), në Romë u mbajt forumi: “Kosova: Mundësi për bashkëpunim ekonomik për ndërmarrjet italiane”.

Delegacioni nga Kosova është udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Mimoza-Kusari Lila dhe në përbërje kanë qenë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, kryeshefi i APIK-ut, Valdrin Lluka, përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucione tjera relevante. Të pranishëm në forum ishin edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Michel Giffoni dhe ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj.

Në fjalën e saj hapëse, zy.kryeministrja Mimoza Kusari Lila prezantoi potencialin ekonomik dhe iniciativat aktuale të Qeverisë së Kosovës në drejtim të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik.

“Kosova ka popullatën më të re në Evropë, pozitë të volitshme ekonomike, politika që përkrahin sektorin privat dhe me një mjedis biznesor që përmirësohet nga viti në vit. Për më tepër investimet e huaja kanë shënuar një rritje përkundër krizës ekonomike dhe ne shpresojmë që bizneset italiane ta shfrytëzojnë këtë potencial. ” – tha zv.kryeministrja Kusari – Lila.

Ministri Beqaj foli për mundësitë investive në sektorin e energjisë dhe mineraleve, si dhe pjesëmarrjen potenciale të bizneseve italiane në procesin e privatizimit. Rëndësi të veçantë i kushtoi potencialit të energjisë së ripërtëritur në Kosovë, posaçërisht asaj ujore dhe asaj me erë.

Në pjesën teknike, kryeshefi i APIK-ut Valdrin Lluka foli për mundësitë dhe sektorët specifikë për investime, si dhe për përkrahjen dhe shërbimet të cilat i ofron agjencia që ai drejton. Ai veçoi disa nga reformat e ndërmarra për përmirësimin e ambientit investues dhe ngritjen e mundësive ekonomike në Kosovë.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, duke prezantuar potencialet nga ky sektor, si dhe disa iniciativa konkrete që janë duke u ndërmarrë kohëve te fundit.

Të gjitha këto prezantime patën një përfundim - që Kosova paraqet një vend shumë të favorshëm për investime të huaja dhe se ka hapësirë për transfer të përvojave, teknologjive dhe praktikave ndërmjet kompanive italiane dhe kosovare.

Ky organizim është në vazhdën e iniciativave të diplomacisë ekonomike të ndërmarra nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Promovim të Investimeve (APIK) për të promovuar mundësitë investuese ne Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)