20 Prill 2024

Banka e Shqipërisë “blen” hotel Dajtin për 30 milionë euro

Tiranë, 14 maj - Në kushtet e mungesës së të ardhurave në buxhet, qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë gjetur një formulë për të siguruar një formë financimi. Bëhet fjalë për ish-hotel “Dajtin”, që qeveria, dje me vendim ia shet Bankës së Shqipërisë, për 30 milionë euro.

Vendimi ka habitur ekspertët e financave, por edhe zyrtarë të qeverisë, të cilët janë përpjekur të shpjegojnë operacionin financiar. Dihet që BSH është pronë e shtetit shqiptar, fitimet e të cilës kalojnë direkt në arkën e buxhetit, që administrohet nga Ministria e Financave, ashtu dhe hotel “Dajti”, i cili nuk funksionon për më shumë se 10 vjetësh.

Ashtu si ka vepruar me institucionet e tjera shtetërore, edhe me Bankën e Shqipërisë mund të ndiqej i njëjti veprim, duke i kaluar nën administrim ambientet e hotelit, pa qenë nevoja t’ia shiste për 30 milionë euro. Burime nga Financat thonë se “nga kalimi i pronësisë, BSH-së do t’i zbritet fitimi që ia transferon buxhetit të shtetit dhe se nuk bëhet fjalë për kreditim apo financim”.

Nga BSH nuk ka një njoftim rreth këtij vendimi. Një tjetër fakt që e bën operacionin financiar disi kontradiktor lidhet me projektin disa milionash dollarë të BSH-së për të rikonstruktuar zyrat qendrore, sipas planit italian, ndërsa punimet kanë filluar. Po ashtu, BSH ka blerë 4 katet e një pallati në zonën e Selvisë, si dhe ka marrë me qira 4 kate të tjera, përfshi dhe vilën e ish-bosit të firmës piramidale VEFA. Fitimet e BSH-së shkojnë deri në 7-8 miliardë lekë, që derdhen më pas në arkën e shtetit.

Megjithatë, Këshilli i Ministrave do të ketë, në çdo rast, të drejtën e parablerjes së pronës, objekt i këtij vendimi, në rast shitjeje nga Banka e Shqipërisë. “Përdorimi i pronës do të jetë vetëm për qëllime administrative dhe për çdo funksion tjetër, në shërbim të këtij qëllimi, i cili nuk dëmton vlerën monumentale të pronës”, thuhet në vendim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)