28 Prill 2024

ATK oblikon me lëshu kuponë fiskal edhe për shitjet online

Prishtinë, 14 qershor - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) rikujton të gjithë personat se furnizimi i mallrave ose shërbimeve në mënyrë elektronike përmes internetit është një formë e tregtisë, ku tregtia dhe afarizmi në përgjithësi kryhen në të njëjtën mënyrë si në çdo treg tjetër.

ATK thekson se tregtia në distancë, apo elektronike, ose e ashtuquajtur “online”, ndryshon vetëm në atë që prania personale e shitësit dhe blerësit nuk është e nevojshme që furnizimi të kryhet.

"Për të gjitha furnizimet e mallrave ose shërbimeve përmes internetit online, furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal apo faturë tatimore, varësisht nga ajo se për kënd bëhet furnizimi", thekson ATK.

Për furnizimet të cilat bëhen për konsumatorin e fundit, furnizuesi sipas ATK-së obligohet të lëshojë kuponë fiskal, ndërsa kur furnizimi bëhet për biznesin (personin fizik afarist apo personin juridik), furnizuesi obligohet të lëshojë faturë tatimore.

Kuponi fiskal është i obliguar të lëshohet edhe ne rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar apo edhe llogarisë bankare. Printimi dhe dhënia e kuponit fiskal është e obliguar në momentin e regjistrimit të furnizimit në Pajisje Elektronike Fiskale.

Pra, aktiviteti i tregtisë përmes internetit (online) obligohet për regjistrimin e transaksioneve përmes Pajisjeve Elektronike Fiskale.

Kjo sipas AKT-së do të thotë se furnizuesi (shitësi) është i detyruar që kur furnizon mallra dhe/ose shërbime përmes internetit, të lëshojë kuponë fiskal dhe atë t'ia dërgojë klientit së bashku me produktin.

Nëse do të lëshohet një kupon fiskal i veçantë për furnizimin e mallrave të porositura përmes internetit (online), varet nëse kostoja e dorëzimit (transportit) është përfshirë në atë çmim të furnizimit.

Nëse kostoja e dorëzimit (transportit) përfshihet në çmimin e mallit të paguar nga klienti, kjo do të tregohet në kupon fiskal si artikull i veçantë.

Megjithatë, nëse çmimi i paguar nga klienti i referohet vetëm mallrave pa kosto të dërgesës (transportit), atëherë kompania e transportit është e detyruar të lëshojë një kupon fiskal të veçantë për kostot e transportit.

Në këto raste, kostot e dorëzimit (transportit) duhet të tregohen gjithmonë në vetë faqen e internetit, përmes së cilës furnizohen mallrat dhe/ose shërbimet.

Çdo qytetar, për të qenë në gjendje që të ushtroj të drejtat e tij si konsumator, është e rëndësishme të njihet me detyrimet e tij, ku njëra prej tyre është  marrja e kuponit fiskal.

"Andaj, një kupon fiskal është dëshmi se tatimi është llogaritur dhe paguar për një blerje të caktuar."

"Këto mjete përmes të hyrave buxhetore kthehen në buxhetin e Republikës së Kosovës, të cilat më tutje përdoren për ndërtimin e infrastrukturës publike, spitaleve, shkollave, çerdheve për fëmijët, etj., nga të cilat projekte përfitojnë drejtpërdrejt apo indirekt qytetarët."

"Duke marrë kuponin fiskal, qytetarët marrin pjesë drejtpërdrejt në “luftimin” e ekonomisë së hirtë dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit dhe të shoqërisë", deklaron ATK.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)