12 Maj 2024

Ankandi i parë i letrave me vlerë përmbyllet me sukses

Prishtinë, 17 janar - Sot, Ministria e Financave e Republikës së Kosovës me sukses ka shitur në ankand konkurrues Bono Thesari 3-mujore të Republikës së Kosovës në vlerë prej 10,000,000.00 Euro.

Bonot e Thesarit të cilat maturojnë me 18 Prill 2012 janë shitur me normë kthimi prej 3.5 për qind.

Ankandi kishte më shumë oferta se sa shuma e shpallur nga Ministria e Financave, respektivisht mbi-ofertimi arriti vlerën 12.5 milion Euro.

Ministria e Financave pranoi oferta jo-konkurruese në vlerë prej 3.1 milion Euro.

Ankandi i sotëm ishte një ngjarje historike për Republikën e Kosovës. Ky ankand paraqet herën e parë të emetimit të Letrave me Vlerë të Qeverisë. Këto shuma do të përdoren për investime  kapitale në buxhetin e shtetit.

Bankat Komerciale kanë përdorur sistemin e ri të tregtimit elektronik për të paraqitur ofertat e tyre dhe ofertat e klientëve të tyre.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e cila vepron si agjent fiskal për Ministrinë e Financave mbikëqyri ankandin e sotëm.

Guvernatori i Bankes Qendrore të Kosovës Gani Gërguri  ka thënë se përmes emetimit të Bonove të Thesarit me afat të shkurtër të maturimit,  po nis hapi i parë në themelimin edhe të tregut të parasë në vendin tonë.

Ky hap sipas tij është rezultat i pjekurisë dhe shëndetshmërisë së mirë të sektorit financiar, pastaj i zhvillimit adekuat institucional si dhe i stabilitetit makroekonomik në vend.
 
Fillimi i emetimit të letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës sipas tij ka kërkuar përgatitje të shumta, duke filluar nga ato rregullative deri te ato më teknike. 
“Në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës po  krijon një mundësi të re për të siguruar mjete të nevojshme financimi, ndërsa investitorëve institucional përfshirë edhe qytetarët e Kosovës, po u krijohet një alternativë e re për investimin e mjeteve të tyre të lira. Ky pikëtakim është me benefit për të gjitha palët e involvuara”, ka theksuar Gerguri.
 
Gerguri ka shtuar se zhvillimi i tregut të letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës ka një rëndësi të veçantë për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës pasi që kjo kontribuon në fuqizimin e mëtejmë të rolit të saj në sigurimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar si dhe shpërndarjen efikase të resurseve në kushtet e tregut të hapur dhe konkurrues.

Ai ka vlersuar se tregu vendor i letrave me vlerë pritet të rris stabilitetin e përgjithshëm financiar dhe të avancojë ndërmjetësimin financiar përmes rritjes së konkurrencës dhe zhvillimit të infrastrukturës, produkteve dhe shërbimeve financiare.

Ky treg do ndihmojë në profilizimin e ri të sistemit financiar prej atij që deri sot ishte njësegmentor (i bazuar në banka) drejt një sistemi me profil shumësegmentor, ku tregu i parasë dhe mëpastaj edhe tregu i kapitalit e plotësojnë financimin bankar.

Në afatmesëm dhe afatgjatë, kjo do ndikojë që edhe ndërmjetësimi kreditor të bëhet edhe më konkurrues si dhe do nxis lansimin e produkteve të reja financiare. Duhet nënvizuar se zhvillimi i tregut të letrave me vlerë rezulton edhe me përparësinë e krijimit të një infrastrukture të gjerë të informacionit, asaj ligjore dhe institucionale prej së cilës përfiton i tërë sistemi financiar.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)