VV: PTK funksionon sipas interesave të deputetes Safete Hadërgjonaj

Prishtinë, 9 mars - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Deçan reagon ndaj mbylljes së pikës së Postës dhe Telekomit të Kosovës në fshatin Irzniq, pikë kjo në të cilën kryenin shërbime 8 fshatra.
PTK përderisa ishte në këtë pikë, shfrytëzonte me qira lokalin e një invalidi të luftës.Me mbylljen e kësaj pike, përveç që është dëmtuar ai personalisht, është dëmtuar i gjithë rajoni.
Kjo mbyllje sipas Vetëvendosje nuk ka qenë e rastësishme, pasi që tash është hapur në shtëpinë e deputetes së PDK-së, Safete Hadergjonaj.
\"Përveç që nuk është dashur të largohet nga lokaliteti në fjalë, është vetëm 500 metra larg postës kryesore, andaj funksionalizimi i kësaj pike në atë territor është bërë vetëm për interesa personale të deputetes në fjalë, e jo për nevojat e qytetarëve.\"
\"Nga kjo, deputetja dhe Kryetarja e Degës së PDK-së në Deçan Safete Hadërgjonaj, si qiradhënëse merr nga 250 euro në muaj\", thekson Vetëvendosje.
Ndikimi i Safete Hadërgjonajt në çështjen që ndërlidhen me PTK-në në Deçan sipas Vetëvendosjes është tejet i madh. Ajo ka mbingarkuar numrin e punëtorëve në kompani, meqë shumica e punëtorëve aty janë punësuar përmes saj. Rreth 70% të të punësuarve në PTK në Deçan, janë punësuar me lidhje familjare.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Deçan konsideron se një veprim i tillë dëmton rëndë interesin e qytetarëve të saj.
\"Ne mendojmë qe ajo pikë e PTK-së është dashur të jetë në një vend ku lehtë kanë qasje edhe fshatrat e tjera, shembull mund të marrim lokalitetin e Vokshit.\"