Vushtrria vendos tabela të emërtimeve rrugore

Prishtinë, 13 nëntor - Komuna e Vushtrrisë në bashkë me Agjencionin  Kadastral të Kosovës, është duke implementuar projektin për vendosjen e tabelave me emërtimet e të  gjitha  rrugëve të Komunës së Vushtrrisë, në kuadër të sistemit të adresave. 
Emërtimi i rrugëve është bërë nga Kuvendi Komunal i Vushtrrisë me propozim të një komisioni të veçantë të themeluar nga kryetari i komunës,  i cili përbëhej nga anëtarë profesional, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta si dhe përfaqësues të të gjitha subjekteve politike. 
Qëllimi i ndërtimit të sistemit të adresave është ofrimi i lehtësirave në regjistrin civil, shërbimet publike, në transport, navigacion, në polici, në forcat e sigurisë, shërbimet e zjarrfikësve etj. 
Adresat gjithashtu do të shërbejnë edhe si mjet referimi, për kërkimin e dokumenteve të ndryshme shtetërore. Kjo do të thotë që adresa përfshihet pothuajse në të gjitha dokumentet zyrtare, që nga letërnjoftimi, patenta e deri te pasaporta, që nga lejet e ndërtimit e deri te vërtetimi i pronësisë, nga kontratat tek vendimi i një gjykatësi. 
Ky projekt parasheh vendosjen e rreth 2600 tabelave, me rreth 1300 emërtime të rrugëve dhe është financuar nga Qeveria e Norvegjisë. Deri më tani janë vendosur rreth 990 shtylla dhe rreth 808 tabela apo rreth 50% e punëve të planifikuara. 
Gjatë realizimit të projektit organi mbikëqyrës është duke hasë në vështirësi për shkak të dëmtimeve të disa shtyllave dhe tabelave nga njerëz të pandërgjegjshëm. 
Dëmtimi i këtyre tabelave përveç që nuk ndryshon gjendjen në sistem dhe rrezikon lokacionin e caktuar që të mbetet pa adresë  njëkohësisht,  pamundëson rregullimin e dokumenteve personale dhe familjare.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Drejtorëve ka kërkuar nga drejtoritë e përfshira në projekt që ti njoftojnë qytetarëve që e pengojnë realizimin e projektit, se do të merren të gjitha masat e nevojshme ligjore që të sanksionohen sipas legjislacionit në fuqi. Pra, për çdo rast të dëmtimit të këtyre shtyllave apo tabelave do të ngritën hetime dhe do të pasojnë dënimet e merituara.
  
















