Vështirësohet qarkullimi në rrugën e Kombit

Kukës, 6 prill - Vijojnë rrëshqitjet e dherave në rrugën e Kombit, ndërkohë që është rritur rreziku i aksidenteve rrugore.
Pas shembjeve masive në aksin Kukës-Fushë-Dukagjin, në zonën e Kukësit, rrëshqitjet kanë filluar edhe në zonën e Mirditës, madje në këtë të fundit situata paraqitet edhe më e rëndë.
Firma kontraktuese Sterkaj që mirëmban segmentin nga Thirra në Rrëshen, e ka ngritur këtë shqetësim. Drejtori i kësaj firme, Leonard Kiri, thotë se nuk ka pasur asnjë reagim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndonëse janë njoftuar në vazhdimësi për gjendjen e rrugës. Sipas tij nëse nuk do të ketë ndërhyrje, atëherë gjendja do të precipitojë.
Në pjesën e skarpateve dhe tarracave që janë bërë në rrugë situata është shumë e rënduar. Ato janë mbushur plot me materiale inerte e dhera. Nga kilometri i 8-të deri në atë të 41-të në aksin Rrëshen-Thirrë (tunel) është një situatë tepër e rënduar, thotë drejtori i firmës, sipas A1 Report.