25 Prill 2024

Tuneli i Kalimashit, shtyhet hapja e galerisë veriore

Tiranë, 18 tetor - Shtyhet edhe një javë përurimi i galerisë veriore të tunelit të Kalimashit. Ndonëse ishte premtuar lejimi i qarkullimit në datën 15 tetor, burime nga kompania, që po punon për ndërtimin e saj, pohojnë se tuneli do të hapet plotësisht pas një jave, në datë 22 tetor.

Nisur nga ecuria e punimeve në galeri, menaxherët patën deklaruar shumë javë më parë, se mesi i tetorit 2010 do të shënonte përfundimin e veprës, e cila tashmë nga ana e kompanisë “Bechtel-Enka” do t’i dorëzohet një tjetre kompanie që do të merret me sigurinë e lëvizjes dhe mirëmbajtjen e tunelit.

Punimet në galerinë veriore kanë përfunduar duke përfshirë edhe sinjalistikën, kamerat e sigurisë dhe çdo gjë tjetër, por shkak për shtyrjen e përfundimit zyrtar, ose më saktë të deklarimit të galerisë të përfunduar, janë bërë disa probleme të shkaktuara në hyrjen e Thirrës nga reshjet e shiut, si dhe ndonjë problem me energjinë elektrike.

“Kemi pasur disa dëmtime të vogla në argjinaturën e hyrjes në anën e Thirrës, si dhe ndonjë problem me energjinë elektrike, për këtë arsye është shtyrë hapja e galerisë”, ka pohuar një nëpunës i kompanisë.

Ai shtoi se me këtë rast “Bechtel-Enka” i jep fund gjithë angazhimit të saj në këtë rrugë, e cila përbën investimin më të madh infrastrukturor në Shqipëri të kryer ndonjëherë.

Me përfundimin e galerisë së veriut punëtorët e mbetur në Shqipëri, do t’i bashkohen kantierit të madh të ngritur në Kosovë, ku gjithashtu “Bechtel-Enka” po ndërton vijimin e autostradës nga Morini drejt Prishtinës dhe më tej.

Përfundimi i plotë i galerisë veriore të tunelit të Kalimashit që do të shënohet aty nga data 22 tetor 2010, do të tregojë edhe përfundimin e veprës në tërësi, si dhe do të shkurtojë akoma më shumë kohëzgjatjen e udhëtimit Tiranë-Prishtinë e anasjelltas.

“Me hapjen e galerisë veriore ne fitojmë 30 minuta kohë në udhëtim, sepse tani nuk ndalojmë të presim sa të dalë karvani i makinave nga ana tjetër, por secili do të udhëtojë pa ndërprerje”, tregon një zjarrfikës nga Kukësi, duke shtuar se me hapjen e galerisë së dytë lehtësohet mjaft edhe puna e efektivit të sigurisë.

Galeria veriore e tunelit u vu në funksion për disa muaj në verën e vitit 2009, siç u tha në komente të ndryshme, për turizmin dhe fushatën elektorale. Kjo galeri në atë kohë ende nuk ishte përfunduar plotësisht, por u hap vetëm për pak muaj.

Në vjeshtën e vitit 2009 ai u mbyll sërish, për të realizuar pjesën e mbetur të pabetonuar, si dhe të disa ndërhyrjeve të tjera që erdhën pas një shembjeje në tunelin jugor, ndërhyrje që zgjatën një vit të plotë.

Nga ana tjetër, tuneli i Kalimashit në verën e këtij viti u rivu në funksion me anë të galerisë jugore, e cila ndryshe nga një vit më parë, u hap krejtësisht e përfunduar, duke i dhënë vendit përfundimisht një rrugë të shkurtër të përhershme të lidhjes ekonomike dhe kombëtare me Kosovën.

Kjo galeri do të mbahet mend edhe për shembjen që ndodhi në dimrin e shkuar, e cila shkaktoi jo vetëm vonesa dhe dëm ekonomik, por edhe një lumë komentesh në media për abuzime me fondet publike etj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)