28 Prill 2024

Shoqëritë ajrore evropiane para vështirësive

Frankfurt, 24 maj - Linja më e madhe ajrore evropiane me tarifa ekonomike, Ryanair, ka rënë gjithnjë në sy për ide orgjinale kursimesh. Më të fortat vijnë direkt nga shefi, Michael O\'Leary. Kështu për shembull ai urdhëroi reduktimin e akullit në pije.

Me më pak kuba akulli në bord, shoqëria mund të reduktonte mijëra kilogramë dhe të kursente mijëra euro. Një tjetër ide ishte të fluturohej vetëm me një pilot, për shkak të kostove, por ajo nuk u zbatua.

Linjat e tjera ajrore nuk janë kaq radikale. Por një faktor ushtron trysni mbi të gjitha: ekonomia e dobët në Evropë dhe kostat e larta të kerozinës.

Shoqëritë ajrore vuajnë shumë nga çmimet në rritje të naftës, thotë për Deutsche Welle-n, Heinrich Großbongardt, ekspert për transportin ajror: \"Këtë vit çmimi është edhe më i lartë, dhe ndihet në mënyrë ekstreme. Këtu shtohen edhe \'gjëra të vogla\' si taksa për transportin ajror dhe lejet për emetimin e gazrave të dëmshëm.\"

Kur marzhi i fitimit nuk është aq i madh situata bëhet shpejt e vështirë, thotë Großbongardt. Veç kësaj të gjitha shoqëritë ajrore evropiane duhet të përballen me ekspansionin e fortë të shoqërive shtetërore nga Gjiri Persik.

Rënia ekonomike dhe recesioni në disa vende evropiane janë arsye për ta parë me më pak optimizëm të ardhmen edhe për linjën ekonomike Ryanair. Megjithë fitimin rekord, irlandezët druhen se kursi i suksesit mund të marrë fund shpejt.

Shoqëritë e fluturimeve ekonomike prej një kohe të gjatë kanë arritur kufijtë e tyre, për këtë është i bindur eksperti Heinrich Großbongardt. Ato janë rritur në mënyrë ekstreme në të kaluarën. Veç kësaj diferenca në çmim mes linjave ekonomike dhe atyre të rregullta është reduktuar shumë ndërkohë.

Sipas Großbongardt-it, shoqëria Ryanair për vite me radhë ka bërë biznes të mirë me prodhuesin e avionëve Boeing: \"Ryanair bënte porosi të mëdha tek Boeing duke siguruar në këtë mënyrë çmime shumë të favorshme. Pastaj i shiste avionët në treg me fitim\". Por prodhuesit nuk pranojnë më biznese të tilla dhe kështu për Ryanairin zhduket një burim i fshehtë të ardhurash.

Prej muajsh lufton me fitime të ulëta edhe linja e dytë më e madhe gjermane, Air Berlin. Krahas një programi të fortë kursimesh tani do të vijnë edhe tarifa të reja ekonomike. Një tarifë e ulët quhet që nga 1 korriku \"JustFly\": në këtë rast check-in bëhet vetëm përmes internetit dhe ashtu si në kompaninë bijë të Lufthansës, Germanwings, për bagazhin duhet paguar shtesë.

Edhe mbi shoqërinë Lufthansa rëndojnë kostot e personelit. Për këtë arsye ajo ndoshta do të bëjë shkurtime në personel dhe do të bashkojë kompani bija. Me programin e ri të kursimeve \"Score\" Lufthansa synon të realizojë rreth 1,5 miliardë euro fitim deri në fund të 2014-s. Vitin e kaluar sipërmarrja për herë të parë ka transportuar më shumë se 100 milionë pasagjerë, por xhirojë nuk ishte e mjaftueshme për të realizuar edhe fitim.

Në mungesë të numrit të mjaftueshëm të klientëve, në të ardhmen Lufthansa do të heqë dorë nga business class në disa linja. Në këmbim sipërmarrja do të shtojë deri në dimër 2014 numrin e vendeve në këtë kategori në linjat shumë të frekuentuara.

Ndenjëset e reja do të ofrojnë mundësinë e transformimit në shtrat. Shoqëri të tjera ajrore e ofrojnë këtë prej disa vitesh. Me këtë program modernizimesh Lufthansa synon të theksojë se kërkon të ruajë pozicionin e saj në segmentin e zgjedhur me pagesë.

Edhe tek konkurrentja e Lufthansës, Air France, ka zëra për shkurtimin e rreth 5.000 vendeve të punës. Vitin e kaluar koncerni kryesor franko-holandez, Air France-KLM, shënoi një humbje prej më shumë se 800 milionë eurosh. Një program kursimesh duhet të ndihmojë tani në reduktimin e kostove me rreth 2 miliardë euro deri në fund të 2014-s.

Sipas ekspertit për transportin ajror Großbongardt, në të ardhmen priten fuzionime të reja në këtë sektor. Në Evropë ka ende një numër shoqërish ajrore ekzistenca e të cilave është në pikëpyetje: \"Shumë aktual është diskutimi për shoqërinë e privatizuar TAP nga Portugalia. Për të ngrihet pyetja se kush do ta blejë?\" Interes kanë shfaqur si Lufthansa ashtu edhe koncerni International Airlines Group, të cilit i përket British-Airways.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)