05 Maj 2024

Rapsodët në pullë postare

Prishtinë, 15 nëntor – Filatelia e Postës së Kosovës, ka njoafruar se në pullat postare ka vënë disa nga rapsodët kosovarë .Filatelia e Postës së Kosovës ka veçuar tre nga rapsodët e shumtë kosovarë, Dervish Shaqën, Salih Krasniqin dhe Qamilin e Vogël, të cilët i prezanton nëpërmjet emisionit të ri të pullave postare të titulluar “Rapsodët”, që janë vënë të premten në qarkullim.

Folklori muzikor shqiptar është shumë i lashtë dhe shumë i pasur. Mbledhësit dhe interpretuesit e këngës folklorike - rapsodët, janë më meritorët për ruajtjen e këtij thesari popullor, brez pas brezi.

Dervish Shama u lind në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912. Ishte rapsod i shquar popullor dhe i njohur në të gjitha trevat shqiptare. Për shkaqe politike, në vitin 1956, ishte detyruar ta braktiste Kosovën, për të cilën thuri vargje deri në fund të jetës. Shquhet për mënyrën e shprehjes së dhimbjes dhe mallit që kishte për familjen dhe vendlindjen, e që për të ishin të ndaluara.


Me një mjeshtri të jashtëzakonshme, nëpërmjet vargjeve e këngëve të përcjella me çifteli, përshkruan kullat e gurit në Dukagjin, figurat kombëtare të patriotëve të devotshëm, trimave, luftëtarëve të atdheut.


Salih Krasniqi u lind më 1919 në Drenovc të Malishevës. Rreth gjysmëshekulli këndoi një numër të madh baladash, këngësh epike legjendare, këngë historike të ashtuquajtura “kangë të oxhakut”, këngë lirike të traditës së vjetër dhe posaçërisht këngë të dashurisë të ashtuquajtura “kangë të ashikisë”.

Ishte njohës i mirë i të gjitha stileve të trevave dhe zonave etnografike të mbarë Kosovës.


Qamili i Vogël u lind më 1923 në Gjakovë. Ishte i njohur si njëri nga këngëtarët më të mirë të muzikës popullore qytetare të kënduar në Gjakovë. I frymëzuar që nga rinia me muzikën tiranase, ai u kthye në Kosovë dhe së bashku me Ymer Rizën themeloi Shoqërinë Kulturo-Artistike.


Gjatë veprimtarisë së tij, Qamili i Vogël ka bashkëpunuar me shumë këngëtarë. Këngët e tij u kanë rezistuar kohës dhe janë burim frymëzimi edhe për gjeneratat e reja.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)