29 Prill 2024

PTK lanson pullën postare me heroin, Enver Zymberi

Prishtinë, 23 dhjetor - Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull:“Hero i Kombit - Enver Zymeri” dhe ka hapur zyrtarisht ekspozitën e pullave postare për periudhën 2000-2011.

Enver Zymeri ka lindur më 3 prill të vitit 1979 në fshatin Dubovc të Vushtrrisë. Ka qenë pjesëtar i UÇK-së, ushtar në brigadën 138 ‘’Agim Ramadani’’. Policisë së Kosovës i bashkëngjitet në vitin 2000, si pjesëtar i gjeneratës së dhjetë.

Prandaj nuk është e rastit që edicioni i ri i pullës postare i referohet Enver Zymerit, zyrtarit policor i cili u flijua gjatë vendosjes së rendit dhe ligjit.

“Që nga sot, Enver Zymeri merr edhe një detyrë tjetër, detyrën e ambasadorit të nderit ku përmes pullës postare do ta prezantoj Republikën e Kosovës anë e mbanë botës”, theksoi Blerim Krasniqi, drejtor i Postave të Kosovës gjatë ceremonisë së rastit.

Nga ana e tij, kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës bëri të ditur se lëshimi në qarkullim i pullës postare dedikuar Heroit të Kosovës Enver Zymerit, dëshmon se puna dhe përkushtimi i tij, e ka bërë të pavdekshëm duke kujtuar veprën e sakrificës dhe të heroizimit të tij.

“Se puna e zyrtarëve policorë, respektohet dhe çmohet nga të gjithë ne, e dëshmon edhe vendimi i PTK-së për këtë pullë postare në shenjë nderimi dhe respekti për Heroin e Kosovës Enver Zymeri me rastin e pesëmujorit të rënies së tij në krye të detyrës”, deklaroi Bajram Rexhepi, ministër i MPB-së.

Babai i Heroit të Kosovës pranoi se pulla postare e lansuar nga PTK, është nder i madh që i bëhet birit të tij në nderim të përkushtimit dhe besnikërisë e tij ndaj rendit dhe ligjit.

“Nuk ka nder më të madh se ky sot që po i bëhet birit tim dhe ky nuk vetëm nder për familjen tonë, por për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, u shpreh Muharrem Zymeri, babai i Heroit të Kosovës.

U.D. i Kryeshefit të PTK-së, i dhuroi babait të Heroit të Kosovës, pamjen e pullës postare të shtypur në argjend duke nënvizuar faktin se kjo dhuratë simbolike paraqet mirënjohjen dhe respektin e PTK-së ndaj heroit dhe veprës së tij.

“Kjo pullë postare është një simbol i atdhedashurisë që një hero i pavdekshëm si Enver Zymeri e tregoi gjatë kryerjes së detyrës së tij zyrtare”, theksoi Nuredin Krasniqi me rastin e dhurimit të pullës së kornizuar drejtorit të policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit.

Në të njëjtën kohë, është prezantuar edhe puna 11 vjeçare e Filatelisë së Kosovës, e cila përmes pamjeve të pullave postare dha një kontribut të shquar në promovimin e Republikës së Kosovës, trashëgimisë sonë kulturore e historike, personaliteteve të shquara, të arriturave si dhe bukurive natyrore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)