02 Maj 2024

Privatizimi i PTK-së, proces i domosdoshëm

Prishtinë, 4 gusht - Privatizimi i PTK-së si njëra nga kompanitë më porfitabile në Kosovë, mblodhi sot në një tryezë debati të organizuar nga Universiteti AAB-Riinvest, udhëheqësit më të lartë të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave biznesore në Kosovë.

Shumë pyetjeve të ngritura rreth çështjes së privatizimit, të Ndërmarrjeve Publike, me theks të veçantë PTK-së, secili prej akterëve të implikuar në këtë proces, u munduan t’i përgjigjet përmes argumenteve lidhur me  privatizimin e korporatës.

Për herë të parë, në këtë debat u fol edhe për kontratën e PTK-së me Operatorin Mobil Virtual, Z-Mobile.

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Dr. Shyqyri Haxha, paraqiti detaje nga kjo kontratë, përmes të cilave shpaloset e vërteta rreth saj.

“Përmes këtij prezantimi, do të shpaloset e vërteta rreth kontratës së PTK-së me Operatorin Mobil Virtual, Z-Mobile, siç janë terminimi i thirrjeve, llogaritja e kostos dhe gjenerimi i të hyrave nga MVNO. Nga ky prezantim del se të hyrat e PTK-së të realizuara nga MVNO startojnë me 27 përqind dhe përfundojnë me 39.57 përqind, apo përkthyer në shifra mbi 1 milionë e 200 mijë euro detyrime ndaj PTK-së. Duhet cekur se të gjitha kostot dhe shpenzimet i bartë Z-Mobile, ndërkohë që PTK nuk participon në këto kosto”, ka spjeguar gjatë prezantimit të tij Kryeshefi Ekzekutiv i PTK Sh.a., Dr. Shyqyri Haxha.

PTK, nga kjo kontratë gjeneron edhe të hyra të realizuara nga shitja e SIM kartelave të cilat për vitin 2010 kanë arritur shifrën prej 43.500 euro, ndërkohë nga të hyrat indirekte PTK përfiton mbi 1 milionë euro.

Në anën tjetër, kryetari i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, z. Rexhë Gjonbalaj ka bërë të ditur se  qëndrim i Bordit është se një projekt i tillë nuk është i dëmshëm për PTK-në.

Sipas tij në këtë projekt PTK investon zero mjete, ndërkohë që përfiton miliona, duke shfrytëzuar kapacitetet e PTK-së.

“Kjo kontratë nuk është e dëmshme për PTK, një gjë e tillë do të dëshmohet” ka deklaruar Gjonbalaj.

Ai gjithashtu e ka përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e PTK-së, të cilin vendim pohon ta ketë mbështetur edhe menaxhmenti i PTK-së.

“Është interes i përgjithshëm që të kontribuojmë në atë që me rastin e shitjes së PTK, Kosova të merr maksimumin e mundshëm, përmes raportimit të drejt mbi gjendjen e PTK-së. PTK është aset i të gjithë qytetarëve të Kosovës, andaj të gjithë duhet të marrim maksimumin nga ky transaksion”, ka vlerësuar Gjionbalaj.

Edhe panelistët e tjerë e kanë vlerësuar si të domosdoshëm privatizimin e PTK-së.

Lekë Musa, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, privatizimin e PTK-së e sheh si një shpëtim të kompanisë, sidomos kur përmendet ligji i prokurimit publik, me të cilin PTK përballet në vazhdimsi e që është një pengesë shumë e madhe në realizimin e projekteve të kompanisë.

“Operimi i një kompanie në fushën e telekomuniacioni në sektorin publik është pothuajse i pamundur. Në këtë lëmi një kompani duhet të jetë dinamike dhe t’i përshtatet kërkesave të tregut, gjë që është e pamundur për shkak të procedurave të kërkuara me ligjin për Prokurimin Publik”, ka vlerësuar Musa në fjalën e tij.

Ndërsa Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit vlerësoi se menaxhimi i mirë i PTK në keto tri vitet e fundit, na ka bërë që të mburremi të gjithë me sukseset e kësaj kompanie dhe ndikimin e saj në ekonominë e vendit.

“Janë mbi 300 milionë euro që nga kjo kompani i janë ndarë Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndërkohë vetëm nga profiti i tri viteve të kaluara, janë mbi 130 milionë dhe ky është treguesi më i mirë i punës së këtij menaxhmenti. Për këtë arsye ne si AKB, vitin e kaluar, Kryeshefin Ekzekutiv të PTK-së z.Haxha, e kemi shpallur menaxher të vitit për rezultatet e arritura. Këto janë argumente të qarta për rëndësinë e kësaj kompanie dhe për rëndësinë që duhet t’ia japim procesit të privatizimit të saj, në mënyrë që të mos gabohet dhe që ekonomia e vendit të mos lëndohet nga ky privatizim, por që të jetë shtytje e rritjes ekonomike në vend”,  tha Agim Shahini.

Sidoqoftë, në këtë tryezë është konkluduar se privatizimi i PTK-së, pavarësisht nga kompania fituese e këtij procesi do të ketë ndikim në rifreskimin e tregut dhe do të ndryshojë perceptimin për ekonominë e Kosovës.

   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)